Kuvendi, Një Minutë Heshtje Në Nderim Të Bekim Fehmiut
TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nderim të aktorit të shquar me origjinë shqiptare Bekim Fehmiu, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
Gjatë seancës së sotme plenare, me propozim të deputetit të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, parlamenti nderoi kujtimin e kësaj figure.
"Bekim Fehmiu është nga të rrallët njerëz që në këto 50 vitet e fundit na ka bërë krenarë. Ndaj mendoj, se më shumë se sa do t'i bënim nder atij, i bëjmë nder vetes duke mbajtur një minutë heshtje, për këtë meteor të artit shqiptar", tha deputeti Majko.
Aktori me origjinë shqiptare Bekim Fehmiu, 74 vjeç, i cili jetonte në Beograd, u nda nga jeta dy ditë parë. Ai konsiderohet i vetmi aktor shqiptar me përmasa botërore, i cili gjatë karrierës së tij interpretoi në rreth 40 filma dhe në një numur të madh pjesësh skenike teatrore./s.s./