English

Lohan: Konsensusi Politik Dhe Zbatimi I Ligjit, Kusht Për Integrimin Në Be

TIRANE, 17 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - "Konsensusi i gjërë mes forcave politike edhe për reformën në Drejtësi është një kusht i domosdoshëm për ecuri të mëtejshme si dhe për integrimin në BE", u shpreh sot Ambasadori i KE-së Helmut Lohan, gjatë ceremonisë së mbylljes së misionit EURALIUS II në Tiranë. Duke vlerësuar se "arritjet e bëra nga autoritetet shqiptare janë vërtetë mbreslënëse", Lohan tha se "gjykatat janë më efikase dhe transparente, legjislacioni është përmirësuar siç është ligji antimafia, apo i gjithë kuadri ligjor në sistemin e drejtësisë". Lohan nënvizoi se "shteti i së drejtës duhet të vijë nga një vision dhe strategji gjithëpërfshirës dhe rregullat duhet të vendosen nga një konsensus politik", ndërsa shtoi se "nuk ka sundim të ligjit nga ana e maxhorancës, apo opozitës. Rregullat e lojës për qeverisje publike, apo private në çdo vend, duhet të vendosen nëpërmjet një konsensusi të gjërë politik". Kreu i diplomacisë së KE-së tha se " kushtet që vihen në MSA duhen marrë seriozisht", dhe shtoi se "prandaj është tepër e rëndësishme që shteti i së drejtës të zbatohet nga njerëz të vërtetë, pasi ecuria e Shqipërisë drejt BE-së varet drejtëpërdrejt me ecurinë që ka patur në zbatimin e ligjit". Duke u ndalur tek sistemi i drejtësisë, Lohan tha se "sundimi i ligjit nga prokurorët, gjyqtarët dhe avokatët bëhet vetëm nëse ata i kanë kapacitete e duhura profesionale". "Duhet të punojnë me kurajo dhe të mos marrin parasysh premtimet e besimet e tyre politike, apo interesat e tyre ekonomike dhe personale", nënvizoi Lohan. Në përfundim, duke vlerësuar punën e bërë nga misionet e KE-së, Ambasadori i KE-së tha se "misionet e EURALIUS kanë qënë vetëm një shembull, që ilustron angazhimin tonë për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj të reformave". Lohan falenderoi të gjitha institucionet që bashkëpunuan për t'a bërë EURALIUS II, një sukses të vërtetë./n.m/
KOMENTE