English

Nishani: Gati Strategjia Për Reformën Në Sistemin E Drejtesise

TIRANE, 17 Qershor/ATSH, Andi Myrte/ - Ministria e Drejtësisë ka gati draftin për strategjinë e reformës në sistemin e drejtësisë, u shpreh sot ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani në ceremoninë e organizuar për përfundimin e misionit të asistencës dhe ndihmës së Bashkimit Evriopian për drejtësinë shqiptare, EURALIUS, 2. "Ministria e Drejtësisë, duke reflektuar rekomandimet e dhëna në progres- raportin e Komisionit Evropian për 2009 si dhe partneret e tjere nderkombetarë, ka finalizuar draftin e parë të strategjise per reformën në drejtësi, duke përdorur si imput informacione nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtesisë", tha Nishani. Sipas tij, ky dokument pasqyron gjendjen aktuale në këndvështrimin realist, vendos prioritete, objektiva dhe politika të prekshme për përmbushjen e një vizioni mbështetur në parimet e pavaresisë, paanesisë, aksesit në drejtësi, kushtetutën, transparence etj. "Aktualisht ka filluar faza e konsultimit të jashtëm me aktorët e drejtesisë dhe shoqatat e profesionisteve", tha Nishani. Për Kreun e ministrisë së Drejtësisë, reforma në sistemin e drejtesisë dhe forcimi i pushtetit gjyqesor është thelbi i veprimtarisë së ministrisë në materializimin e politikës së Qeverise për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore te njeriut, rikthimin e besimit të qytetareve të drejtesia, për rritjen e transparencës dhe luften pa kompromis kundër shfaqjeve korruptive. Ministri Nishani shprehu konsiderata të larta për kontributet që ka dhënë Misioni EURALIUS për reformimin e sistemit të drejtësisë shqiptare, përafrimin e legjislacionit të brendshem me atë ndërkombëtar, forcimit te kapaciteteve institucionale shqiptare dhe integrimin e tyre me ato evropiane. Si kontribut të këtij misioni, Nishani vecoi bashkepunim në hartimin e ligjeve, si "Për policinë gjyqësore", ligjin "Antimafia", "Për mardheniet me autoritet e huaja per ceshtjet penale", ndihmën per sistemin penitenciar, e në shumë fusha të tjera. "Sukseset janë evidente përmes notave pozitive dhënë në kuadër të procesit për liberalizimin e vizave dhe hapat që po ndërrmeren për marrjen e statusit të vendit kanditat për Bashkimin Evropian", tha Nishani. Konsiderata të larta për kontributet e misionit EURALIUS 2, shprehu dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, duke e quajtur një mision të sukseshem dhe mjaft të dobishem per sistemin e drejtësisë. "Objektivi i Misionit për të lehtësuar zhvillimin e një gjyqësori të paanshëm dhe modern, duke kontribuar në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës është realizuar me sukses", tha Becaj, që vlerësoi gjithashtu edhe se "ky mision ka kontribuar bindshëm ne perpjekjet tona për të konsoliduar një sistem drejtesie bashkohor". Drejtori i misionit EURALIUS, 2, Roland Mikalu duke vleresuar bashkepunimin me palën shqiptare për forcimin e shtetit të së drejtës, tha se "Shqiperia ka bere shume hapa perpara, por edhe shumë të tjera duhen bërë". Misioni EURALIUS-2, një projekt i Bashkimit Evropian u zbatua në dy vitet e fundit në Shqipëri, në kuadër të ndihmës që BE jep për reformimin e drejtësisë shqiptare. Ky projekt është vazhdim i misionit EURALIUS 1 i vënë në zbatim 5 vite më parë në Shqipëri. Të dy projektet synuan forcimin e shtetit të së drejtës në Shqiperi, duke dhënë ndihmesë të çmuar në përmirësimin e legjislacionit, forcimin e kapaciteteve institucionale te drejtesise, etj. Në sajë të projekteve të BE, Shqiperia ka perfituar ndihma te medha finaciare edhe per ngritjen e infrastruktures së sistemit të drejtësisë, perfshirë ndertimin e gjykatave, burgjeve te reja, etj./n.m/
KOMENTE