Tiranë, 17 qershor, NOA - Nevoja për para në buxhet ka detyruar Ministrinë e Ekonomisë që të punojë në mënyrë intensive për të shitur asetet publike.
Ministri Dritan Prifti pohon se janë rreth 2 mijë pasuri publike që do të privatizohen. Parashikohet që brenda këtij viti të përfundojnë privatizimet strategjike, siç janë Alpetrol, pjesa e mbetur e aksioneve në Albtelekom apo Armo, kompania e sigurimeve Insig etj. Por në këtë listë janë edhe stadiumet sportive.
“Ne po punojmë në mënyrë intensive, kemi bërë gati 280 dosje për t’i nxjerrë në shitje. Lista jonë sa vjen dhe shtohet. Vetëm një ditë më parë Ministria e Sporteve solli dosjet për privatizim të stadiumit “Qemal Stafa” si dhe pallatit të sportit “Asllan Rusi”, shprehet Prifti. Sipas tij në të gjithë Shqipërinë janë rreth 2 mijë asete që do të shiten.
Sipas ministrit të drejtën e parablerjes e kanë pronarët e ligjshëm. Ndërkohë që pjesë e këtij procesi do të jetë edhe biznesi vendas.
“Për privatizimet strategjike si Alpetrol, Armo, Albetekom ne do të hapim tender ndërkombëtarë, ndërsa për çdo shitje tjetër biznesi vendas është i mirëpritur”-vijon më tej ministri.
Pak muaj më parë Kryeministri, Sali Berisha, njoftoi shitjen e çdo pasurie publike, duke përjashtuar shkollat dhe spitalet. Nisma e qeverise u bë publike pas problemeve që po haste buxheti i shtetit në realizimin e të ardhurave publike.
Ekspertët e ekonomisë janë në një mendim për këtë porces, që sipas tyre bëhet vetëm për të arkëtuar më shumë para në buxhet.
r.l/NOA