English

Prifti Fton Biznesin Gjerman Te Investoje Ne Shqiperi

-Zhvillon punimet në Tiranë, Asambleja e Dhomës Gjermane të Tregtisë- TIRANE, 17 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- "Investitorët gjermanë janë të interesuar të vijnë në Shqipëri, akoma edhe më shumë mbas vleresimit të institucioneve ndërkombëtare për performacën dhe treguesit pozitiv të rritjes ekonomike që ka arritur vendi ynë, në kushtet kur tregjet ndërkombëtare janë tronditur nga kriza financiare ndërkombëtare", u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti në mbledhjen e Asamblesë se Dhomes Gjermane te Tregtise në Shqipëri, që zhvilloi punimet sot në mbrëmje në Tiranë. Duke u ndalur tek reformat fiskale që janë një nga masat shoqëruese politike që e përmirësojnë edhe më tej klimën dhe që e tërheqin vëmendjen nga zhvillimi ekonomik, Prifti shoti se "prandaj edhe ne shpresojmë që ajo të sjellë një impuls ti ri në drejtim të investimev të huaja". Edhe pse Shqipëria është një vend shumë i vogël për investitorin gjerman, kushtet për biznesin e huaj janë shumë shpresëdhënëse, tha Prifti. Ai evidentoi se, "ato që ka realizuar Shqipëria deri tani, si psh, one-stop-shop, apo të tjera përpjekje për të krijuar sa më thjesht e me shpejtësi kushtet për hapjen e biznesit, janë shembullore". Një lehtësim për biznesin gjerman në Shqipëri do të sjellë edhe nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për heqjen e tatimeve të dyfishta mbi fitimin ose të ardhurat. Investitorët gjermanë kishin kohë që e kërkonin këtë marrëveshje, negociimi i së cilës ka filluar qysh në vitin 2006, e që pritet të hyjë në fuqi mbas ratifikimit të saj nga dy parlamentet përkatëse. "Heqja e tatimit të dyfishtë për investitorët nga Gjermania, ku taksa mbi fitimin është shumë e lartë, është një sukses dhe mendoj që do të ketë edhe prurjet e para duke u nisur edhe nga ky fakt", tha Prifti. Por gjithësesi shton ai, niveli shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve qëndron ende në tregues të ulët, 6.5% dhe në vlerën 211 milionë euro. Ministri Prifti, theksoi se ndonëse volumi i shkëmbimeve tregtare për vitin 2010, ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë ka rezultuar me nje rritje prej 20%, përsëri ky tregues ruan nivele të ulta. "Megjithë kushtet e lehtësuara për bizneset e huaja, firmat gjermane nuk janë prezente në Shqipëri, në atë masë sa do të dëshironin ato, sidomos në fushën e fasonistëve", tha Prifti, duke apelur që biznesi gjerman i këtij sektori të rrisë prezensën në tregun shqiptar, i favorizuar edhe nga ulja e taksave të importit në kufi për prodhimet e këtij sektori. Kreu i Ekonomisë i inkurajoi biznesmenët gjermanë që të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se kualiteti i lartë i punës së firmave gjermane, do të rrisë konkurueshmërinë e prodhimeve shqiptare. Në punimet e Asamblesë së Dhomës Gjermane të Tregtisë merrte pjesë Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, përfaqësues të biznesit gjerman që operojnë në sektor të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, si sistemi bankar, industria fasoniste, energjitikë, ndër kompanitë kryesore në vend. Ndër to janë kompania Hichtief (Tirana Airport Partners) që ka bërë një investim shembullor në sektorin e komunikacionit, duke e kthyer aeroportin e Tiranës në një aeroport të standardeve europiane, kompani të tjera shqiptaro-gjermane si Mercedes-Benz, Volkswagen, Opel, Porsche, BMW, Lufthansa, Elmod dhe Trumpf, Siemens etj, të cilët bëjnë pjesë në Shoqatën gjermane të Industrialistëve dhe Tregtarëve./n.m/
KOMENTE