Provimi I Matematikës- Publikimi I Rezultateve Pas 15 Ditësh
TIRANË, 17 Qershor/ATSH/.- Shpallja e rezultateve të provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Matematikës që u zhvillua të martën, do të bëhet jo më vonë se 15 ditë; njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Skema e vlerësimit të përgjigjeve që kanë plotësuar rreth 38 mijë maturantët pjesëmarrës në këtë provim do të jetë e dyfishtë.
Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, do të konfirmojnë saktësinë e tyre dhe do të bëjnë kodifikimin me numra, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë.
Korrigjuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje do i pasqyrojnë në formularët përkatës.
Rakordomi i vlerësimeve do të bëhet pas korrigjimit të çdo 40 testeve. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit do të jetë një vlerësues i tretë. Më pas, përgjegjësi i vlerësimit firmos në tabelën e vlerësimit të testit, së bashku me vlerësuesin e tretë.
Ministria e Arsimit do të ngrejë komisione të posaçme (KOPOTED), që do të shqyrtojnë rast pas rasti të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi.
Vlerësimi i testeve të Matematikës do të kryehet në katër qendra: në Tiranë, në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani"; në Elbasan, në godinën e shkollës "Qemal Stafa", në Shkodër, në godinën e shkollës "Jordan Misja" dhe në Fier, në godinën e shkollës "Naim Frashëri"./e.gj/s.s./