English

Rama: Zgjidhja E Krizës Politike Përmes Kompromisit Është E Mundshme

TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se zgjidhja e krizës politike përmes kompromisit është e mundshme dhe duhet të pranohet duke i hapur rrugë transparencës e integrimit. Në një konferencë për shtyp, kryesocialisti Rama u ndal tek deklarata e përbashkët e dy kryetarëve të grupeve të Parlamentit Europian, që sipas tij "është pasqyra më shqetësuese që i është vënë ndonjëherë përpara në këta 10 muaj Shqipërisë për krizën e për pasojat e mundshme të saj. "Theksi i fortë që vë deklarata mbi mospërmbushjen e kriterit politik për të shkuar më tutje në rrugën e integrimit është këmbana më e fortë e alarmit që ka rënë deri më sot në Europë për krizën e sotme në Shqipëri", tha Rama. Ai theksoi se "PS nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nuk lëkundet në përpjekjen për të gjetur zgjidhjen e kompromisit që i hap rrugë transparencës". Në një komunikatë të përbashkët nga Xhozef Daul, President i Grupit të Partive Popullore Europiane dhe Martin Shulz, President i Grupit Social Demokrat në Parlamentin Europian, dërguar një ditë më parë, nënvizohej se "është përgjegjësia e qeverisë shqiptare bashkë me opozitën që të gjejnë menjëherë, në një mënyrë transparente dhe në përputhje dhe respekt të plotë të Kushtetutës, zgjidhje për ngërcin aktual politik dhe mënyrat e ecjes përpara, që do i kërkohen një vendi në rrugën e tij drejt BE-së". "I kërkojmë opozitës shqiptare që të qëndrojë në parlament dhe të vazhdojë punën. Në të njëjtën kohë presim që qeveria të punojë se bashku me opozitën me qëllimin e realizimit të një reforme të sistemit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme dhe procedurave parlamentare", thuhej në deklaratë. Kërkesa e opozitës për hapjen e kutive është një vendim që bie ndesh me Kushtetutën e vendit, ndërkohë që mazhoranca ka miratuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve dhe i ka ofruar opozitës shumicën dhe kryesimin e këtij komisioni. /k.sh/
KOMENTE