Reportazh/Në Fermën E Idriz Haxhiut, Shkencëtarit Që Punon Tokën
VORË (TIRANË), 17 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Profesor në biologji, Idriz Haxhiu zotëron një minifermë në Vorë, 800 m larg superstradës Tiranë-Durrës. Në pak hektarë, aty mund të gjesh gjithçka: nga ullinjtë e vjetër e deri te gjallesat e shumta, të cilat vijnë vetë pasi e dinë se këtu janë të qeta, "larg rrëmujës dhe rrëmetit" të automjeteve dhe fabrikave që ndodhen pak më poshtë.
"Çdo gjallesë ka vendin e vet të merituar në botën ku jetojmë," thotë për ATSH-në profesor Haxhiu, pasi na fton të hyjmë në oborrin e shtëpisë së tij, që mes gjelbërimit gjithfarësh duket si banesat koloniale të filmave të hershëm.
Pas xhamave optike, sytë e prof. Idrizit shkëlqejnë kur flet për pemë e për kafshë, pa përjashtime. Më ka ftuar me telefon për vizitë, pasi 10 ditë më parë një peshkatar në Durrës më kërkoi ndihmë se çfarë duhet të bënte me dy breshka të mëdha uji, të cilat kishin ende në gojë dhe në pjesët e buta të trupit grepat e mëdhenj.
Përmes telefonit kishim folur gjatë me profesorin për breshkat "carreta carreta", një specie në zhdukje dhe për matrikullin me emrin e "Prof. Idriz Haxhiu/Vorë" mbi shpinën e njërës prej breshkave, veçse nuk kisha menduar se "mbretëria" e pyllit do të ishte kaq e pasur dhe kaq afër "metropolit".
"Deri në vitin 1991 prof. Idrizi ka punuar në Institutin e Lartë bujqësor të Kamzës si dhe në Muzeun e Shkencave," ndërhyn prof. Enver Isufi, drejtor i Institutit të Kërkimeve "BioAdria", një nga "tifozët" dhe mbështetësit më të mëdhenj të nismave të z. Haxhiu.
Idriz Haxhiu vendosi të vijë në fshat, në tokat e babait, atëherë kur të gjithë i drejtoheshin Tiranës dhe Durrësit. "Pati nga ata që më quajtën edhe të çmendur, por unë e kisha ndarë mendjen. Jo vetëm që isha marrë gjithë jetën me bujqësi, por edhe në specializimet jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, e kisha kuptuar se tashmë të huajt po i largoheshin qytetit"-vijon ai.
Mbi banesë nis një rrëpirë e bukur e gjelbëruar më ullinj.
"Këtu ka më shumë se 200 rrënjë kryesisht të tipit "frantoio", të thotë prof. Idrizi, teksa ngjisim shkallët e para prej dheu, duke u ngjitur mes ullishtes. "Gjetëm vetëm 100 copë kur erdhëm, ndërsa tani vonë kemi mbjellë edhe 50 ullinj të rinj, të cilët po hyjnë në prodhim".
Prof. Idrizi ulet në gjunjë dhe, duke na kërkuar qetësi, kërkon poshtë kashtës së shtruar rreth e rreth rrënjëve të ullirit. Dhe ja, një breshkë e madhe, e përgjumur nxjerr kokën e vogël nga zhgualli.
"Janë më shumë se 100 copë që kanë gjetur strehë në këtë territor. Tani pasdite pushojnë thuajse të gjithë, por në mëngjes këtu dëgjon këngët më të bukura të botës-ngre kokën ai duke parë pemët. Zogj të llojeve të ndryshme që gjejnë njëri- tjetrin dhe çiftohen e po kështu bëjnë edhe reptilët apo amfibët e shumtë, që kanë krijuar një park zoologjik, të cilin po e shtojmë duke mbjellë pemë gjithfarësh. Ja këtë manin këtu e kanë mbjellë vetë zogjtë, duke transportuar farën" tregon pa u lodhur profesori.
"Është një ekosistem që ne po përpiqemi ta studiojmë dhe ta përhapim si përvojë, e nget bisedën Enver Isufi, duke na kthyer përsëri te breshkat 150-vjeçare të Patokut, në grykëderdhjen e lumit Ishëm.
Prof. Idriz Haxhiu është drejtues i projektit disavjeçar që mbështetet nga UNDP, ndërsa së fundi tre nga breshkat e matrikulluara prej tij ndiqen në çdo çast me satelit.
"Është e vërtetë. Nga 12 shtatori i vitit 2009, nëpër dete shëtisin breshkat me emrat "Shpresa", "Guximtari" dhe "Patoku". Në çdo 25 minuta sateliti jep vendndodhjen e tyre të saktë dhe ne e dimë që këto ditë vetëm "Shpresa", breshka femër me moshë rreth 60 vjeç, ndodhet ende pranë Patokut. "Guximtari' "dhe "Patoku" janë parë përkatësisht në brigjet e Korfuzit dhe të Kroacisë", shpjegon prof. Idrizi.
"Breshkat janë bashkëkohës të dinosaurëve", thotë prof. Idrizi, ndërsa shton se ato vazhdojnë të mbijetojnë. "Kam parë breshka të gjymtuara nga elikat e anijeve, të cilat deti i ka kuruar sikur të ishte kirurgu më i mirë në botë", vijon ai.
Sipas tij, pllakat brinore mbi shpinën e breshkës shpesh herë arrijnë në mbi 250, çka tregon edhe vitet e jetës së amfibit ujor.
Në Mesdhe janë më shumë se 600 breshka të matrikulluara prej prof. Idrizit dhe studentëve të tij, të cilat shpesh herë kapen gabimisht prej peshkatarëve, që, kur munden, komunikojnë me prof. Idrizin dhe më pas i lëshojnë përsëri në det.
"Ku ka si peshkatarët," thotë profesori, duke më ofruar një gotë raki të bërë vetë.
"Mos ki merak," nxjerr kokën nga kuzhina Zhaneta, e shoqja e profesorit.
"Këtu çdo gjë është BIO. Ne nuk përdorim në asnjë rast pesticide apo insecticide," thotë me krenari Zhani, zonja që ka ardhur fëmijë nga Korça në Tiranë dhe që, pas viteve të gjata të punës në qëndistarinë "Migjeni", e ka ndjekur kudo bashkëshortin e saj.
"Shkoj në Tiranë te djemtë, por nuk qëndroj gjatë. Qyteti më jep dhimbje koke," qesh ajo. "Idrizi punon në kompjuter deri vonë. Mban shënimet e ditës, ndërsa unë merrem me punët e shtëpisë".
Në oborrin e shtëpisë muzgu vjen më shpejt. Pemët e mëdha dhe hija e kodrës në mbrëmje i japin gjelbërimit të harlisur një pamje misterioze, ndërsa mbi Vorë bien pjerrtazi rrezet e fundit të diellit./ch/