Rusia Dërgon Ndihma Humanitare Për Refugjatët Në Uzbekistan
MOSKË, 17 qershor /ATSH-AFP/ - Rusia i ka akorduar një ndihmë humanitare Uzbekistan, e destinuar për refugjatët e larguar pas disa ditëve dhune ndëretnike në Kirgistan, njoftoi sot Kremlini.
''Presidenti rus, Dmitri Medvedev, u kërkoi autoriteteve akordimin e një ndihme humanitare për Uzbekistanin, të destinuar për refugjatët që pas trazirave të ndodhura në Kirgistan, u larguan drejt vendit fqinj", deklaroi zëdhënësja e tij, Natalia Timakova, e cila citohej nga agjencitë ruse të lajmeve.
Pak më pas, një zëdhënësja e Ministrisë ruse të Emergjencave njoftoi se 120 tonë ndihma humanitare, kryesisht elemente ushqimore dhe produkte konsumi të shkallës së parë, ushqime për foshnja, tenda dhe mbulesa, do të nisen drejt Uzbekistanit.
"Është planifikuar që dy avionë kargo do të nisen nesër dhe një i tretë do të niset të shtunën", theksoi zëdhënësja, Irina Andrianova.
Moska i ka nisur tashmë një kontingjent ndihmash humanitare drejt Kirgistanit.
Ministria ruse e Emergjencave ka dërguar dje tre avionë kargo, me produkte konsumi të shkallës së parë dhe mbulesa për refugjatët nga Kirgistani./
/i.p/