English

Sekretarja E Shtetit Gjerman, Godrun Koop: Shqipëria Progres Të Madh Ekonomik

TIRANE, 17 Qershor/ATSH- A.Gegvataj/- Sekretarja e Shtetit gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, znj.Godrun Koop, gjatë një takimi sot në Berlin me zv/kryeministrin dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik. Burime zyrtare nga MPJ bënë të ditur se znj. Koop u bëri thirrje investitorëve gjermanë që të investojnë në Shqipëri, ndërsa shtoi se "ne do të mbështesim kompanitë tona të cilat duan në investojnë në Shqipëri". "Shqipëria ka shënuar progres të madh ekonomik, duke u bërë një vënd tërheqës dhe i sigurtë edhe për thithjen e investimeve të huaja", deklaroi znj. Koop. Në këtë drejtim znj. Koop shtoi se "detyra jonë është që të informojmë investitorët gjermanë për oportunitetet që të ofron Shqipëria në fushën e biznesit". Duke vlerësuar me nota pozitive politikën e jashtme të Shqipërisë si shumë moderne, ajo tha "se diplomacia shqiptare ka arritur të kombinojë politikbërjen e saj të jashtme me zhvillimin ekonomik". Ndërsa zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, informoi Sekretaren e Shtetit gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për reformat e ndërmarra nga qeveria në funksion të nxitjes së investimeve të huaja dhe vendase në vend. Kryediplomati shqiptar tha se "tashmë Shqipëria është pikë strategjike në rajon dhe me një klimë miqësore për biznesin", duke ftuar biznesin gjerman që të investojë në vendin tonë./s.s./
KOMENTE