Serbi - Kërkimi I Mlladiç Vazhdon
BEOGRAD, 17 qershor /ATSH-ANSA/ - Autoritetet e Serbisë "do të vazhdojnë ta kërkojnë Ratko Mlladiç edhe pas vendimit të djeshëm të familjes për të paraqitur kërkesën për deklarimin e vdekjes së tij", deklaroi sot prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç.
"Një kërkesë e tillë nuk do të na ndalojë në punën për kërkimin e Ratko Mlladiç", deklaroi Vukçeviç për gazetarët në Beograd në prag të një konference rajonale për luftën kundër korrupsionit.
"Familja e Mlladiç ka të drejtën për të kërkuar deklarimin e të afërmit të tyre si i vdekur", shtoi prokurori. Një pozicion analog shprehu edhe Dusan Ignjatoviç, shefi i Zyrës qeveritare serbe për bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës (TPI). Sipas tij, nëse analizat e ADN-së dhe metodat e tjera shkencore do të konfirmojnë se Mlladiç ka vdekur, "atëherë proceset gjyqësore për të do të ndërpriten, siç ndodhi në rastin e Slobodan Millosheviç". "Por TPI-ja nuk do t'i ndërpresë hetimet deri sa të ketë prova të pakundërshtueshme", theksoi Ignjatovic.
Ratko Mlladiç, ish-gjenerali i serbo-boshnjakëve, kërkohet nga TPI-ja për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit për masakrat e kryera gjatë konflikteve ballkanike të viteve nëntëdhjetë. Akuzat i bëhen kryesisht për rrethimin e Sarajevës gjatë luftës së Bosnjes dhe masakrës së tetë mijë myslimanëve në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.
/e.v/