English

Tahiri, Berishës:Mos u spërdridh, bëj transparencën se po bllokon heqjen e vizave

Tiranë, 17 qershor, NOA – “Është momenti të pranoni zgjidhjen që ne kemi pranuar, të dëgjoni si duhet thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë, t’i hapni rrugë zgjidhjes së krizës së demokracisë duke filluar nga transparenca e zgjedhjeve, për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave, e pastaj për t’i dhënë zgjidhje edhe krizës së shtetit ligjor e akoma më shumë krizës ekonomike, pasi në të kundërt, do i bëni shërbimin më të keq vendit, e po kështu dhe vetes”.

Si për çdo socialist tjetër, edhe deputeti Saimir Tahir Tahiri, transparencën e zgjedhjeve e pati si shtyllë të fjalimit të tij në seancën e sotme parlamentare, ku i kërkoi rishtas kryeministrit Sali Berisha, të bëjë transparencën e kutive të 28 qershorit, që të mos pengojë liberalizimin e vizave.

Nuk ka më njeri që të mos dijë se zgjedhjet i keni vjedhur; nuk ka më njeri që të mos dijë se liberalizimin e vizave po e zvarrisni ju me paaftësi dhe arrogancë, duke na lënë të fundit në Europë; nuk ka më njëri që të mos dijë se ekonomia po tkurret, se shqiptarët po varfërohen, se bizneset po mbyllen, e kjo jo për shkak të krizës globale, e cila po t’ju besojmë juve se nuk na preku, atëherë na mbetet të besojmë se kriza jonë, në dallim nga e gjithë bota, ka vetëm një shkak, dhe shkaku jeni vetëm ju, vjedhja, korrupsioni dhe abuzimi i qeverisë tuaj me buxhetin e shtetit për të manipuluar zgjedhjet e për të futur në xhepa tepricën”, deklaroi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i Partisë Socialiste. Sipas deputetit Tahiri, “maxhoranca sillet si një kalama qaraman, me një kryeministër të llastuar që spërdridhet duke gënjyer se gjoja vullnetin e tij babaxhan për t’i hapur rrugë kërkesave legjitime të opozitës, një herë e pengon kushtetuta, pastaj nuk e pengon kushtetuta, por e pengon kodi zgjedhor, pastaj nuk e pengon as kodi zgjedhor, por po hapëm një palë kuti, do djegim ç’të kenë brenda të tjerat, e kështu me radhë, si e si të mos lejojë shqiptarët të shohin me sytë e tyre ç’masakër zgjedhore është gatuar në mes të Europës, nga i njëjti njeri që 20 vjet me radhë bën pazar me zgjedhjet për të bërë pazaret e veta me xhepat e shqiptarëve”.

“Pazari i fundit me zgjedhjet e 28 qershorit dhe mohimi i të drejtës kushtetuese për transparencë të plotë, po nuk u zgjidh tani sa nuk është vonë, do i kushtojë Shqipërisë e shqiptarëve më shumë se çdo herë tjetër, siç po i kushton përditë e më shumë rrënimi i ekonomisë nga pazaret e qeverisë”, theksoi në fjalën e tij deputeti Saimir Tahiri, duke nënkuptuar mosplotësimin e ëndrrës së shqiptarëve për të lëvizur të lirë në Europë. Sikundër theksoi deputeti Tahiri, kriza e shkaktuar nga mohimi i dhunshëm i transparencës së zgjedhjeve, nuk është kriza personale e kryetarit të opozitës, Edi Rama, por kriza fatale e vjedhjes së përditshme të shqiptarëve nga pushteti i errët që ushtron maxhoranca e dalë nga errësira e kutive që ende nuk hapen, një krizë që sipas socialistëve ka zënë për fyti ekonominë e vogël të çdo familjeje shqiptare.

Mit/NOA
KOMENTE