Teknologjia E Informacionit, Mundësi Të Shumta Per Forcimin E Demokracisë Dhe Shtetit Ligjor
TIRANE 17 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Zëvendësministri i Inovacionit Tekonologjisë së informacionit dhe Komunikimit, Visho Ajazi deklaroi të enjten, se teknologjia e informacionit është tashmë element vendimtar në procesin e analizës dhe marrjes së vendimeve në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
"Infrastruktura globale e informacionit krijon kushte për zhvillimin në shkallë të gjerë të shërbimeve të reja në fushën e administratës publike, tregtisë, bankave, arsimit dhe kujdesit për shëndetin", tha Ajazi në konferencën dy-ditore "Roli i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në zhvillimin e shoqërisë shqiptare", e cila nisi sot punimet në Tiranë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj tha se "zhvillimi i vrullshëm i vendit dhe i ekonomisë na vendosin para sfidave të reja dhe teknologjia e informacionit është një mjet i domosdoshëm në këtë drejtim".
Duke vlerësuar punën e stafit të Fakultetit Ekonomik, Beqiraj tha se epoka dixhitale kërkon informacion dhe shpërndarjen e tij dhe kjo konferencë është një hap drejt kësaj rruge. Ai theksoi se organizimi i konferencave të tilla shkoncore duhet të shtrihen ehde në rajon.
Ndërsa Prof. Assoc. Dr Kozeta Sevrani vlerësoi se përmes konferencës, fakulteti synon të krijojë një traditë të re në kërkimin shkencor në fushat e studimit duke i ndërthurur dhe tentuar të çojë përpara mendimin në këto fusha.
Konferenca dy ditore "Roli i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në zhvillimin e shqoqërisë shqiptare", organizuar nga departamenti i "Matematikës, Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar" synon të krijojë një platformë ku të diskutohen problemet e IT-së në vend si dhe impakti i tyre në zhvillimin e ekonomisë, industrisë e shoqërisë në përgjithësi. Pjesë e fokusit të konferencës është edhe zhvillimi i tregut informatik.
Në konferencë ishin të pranishëm akademikë, profesorë dhe studentë të Universitetit të Tiranës./n.m/