Vezhgim/Tiranë: Rendohet Edhe Me Shume Trafiku Rrugor Me Devijimin E Radhës
S
TIRANË, 17 Qershor /ATSH- Mira Shkurta/- Drejtuesit e mjeteve në Tiranë u përballën të enjten me një tjetër devijim të lëvizjes për të hyrë në qendër të kryeqytetit, pas bllokimit të fundit tek rruga e Dibrës.
Pas disa devijimeve të detyruara nga punimet për rikonstruksionin e sheshit "Skëndërbej", Bashkia e Tiranës ka njoftuar se nga sot të gjitha automjetet që do të hyjnë nga rruga e "Dibrës", do të duhet të kthehen djathtas në rrugën "Bardhok Biba" dhe "Urani Pano", pas hotel "Tirana Internacional" për të vazhduar drejt qendrës e në të gjitha degëzimet e saj.
Ky devijim në një ndër segmentet ku fluksi i qarkullimit të automjeteve nuk është i pakët, sidomos në orët e para të ditës dhe në mesditë kur numri i automjeteve rritet për shkak edhe të mbarimit të angazhimeve të përditëshme të pjesës më të mirë të qytetarëve, ka sjellë rëndim në trafik.
Edhe sot një pjesë e mirë e rrugëve të kryeqytetit ishin peng i kaosit të krijuar nga ky devijim.
"Mendoj se është herët për të folur për pasojat e këtij devijimi", u shpreh njëri prej punonjësve të Policisë Bashkiake, sipas të cilit, trafiku në këtë segment u rëndua në orët e para të mëngjesit, pasi të gjithë nxitojnë për të shkuar në punë dhe fluksi i lëvizjes është më i madh.
"Sot ishte dita e parë e funksionimit të kësaj skeme dhe mendoj se trafiku do të rëndohet në mesditë", thotë punonjësi i Policisë Bashkiake.
Sikurse edhe në ditët e tjera, të bllokuara sot ishin segmentet e rrugëve nga bulevardi "Zhan D'Ark", rruga e Kavajës, 21 Dhjetori, rruga e Durrësit, pa folur këtu për Unazën e Re dhe segmentin e rrugës pranë shkollës "Teknologjike", që gjithmonë ka qenë problem, ku për minuta të tëra, automjetet mbeten të bllokuara.
"Skema e re e aplikuar nga Bashkia çorienton trafikun. Me skemën paraprake të Bashkisë së kryeqytetit, duket se edhe dy vjet të tjera, vetëm 33 % e trafikut do të funksionojë normalisht, ndërsa 77 % e tij do të jetë i përfshirë nga një ngërç total", thanë burime zyrtare nga Policia e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet .
Sipas tyre, "megjithë kërkesat e përsëritura nga ana e Policisë Rrugore për bashkëpunim për zgjidhjen e kaosit të krijuar në trafik, Bashkia vazhdon në avazin e saj".
"Janë qytetarët ata që i vuajnë pasojat e një plani të pastudiuar, ku Bashkia duket se ka vendosur "veton" dhe ka injoruar çdo mendim të ekspertëve të fushës së qarkullimit dhe inxhinjerimit të rrugëve", thanë burimet e Policisë Rrugore.
Ndërkohë, sipas projektit të Bashkisë, pritet të ketë edhe devijime të tjera të trafikut në ditët në vijim, pasi do të ketë hapje të segmenteve, ku ka mbaruar procesi i ndërtimit të infrastrukturës nëntokësore dhe bllokime të segmenteve të tjera.
Shmangia e trafikut në rrugët e Tiranës ka filluar me rrugën e Kavajës, e cila ka hyrë në Unazën e Vogël, ka vijuar me rrugën e Durrësit, me të gjitha ndërhyrjet anësore, si dhe me rakordimet e rrezeve të kthimit, aty ku ka pasur probleme, siç është rasti tek kryqëzimi përpara selisë së PS-së.
Sipas Bashkisë, "pritet edhe aplikimi i një skeme të re e respektimit të stacioneve për linjat e transportit publik, të itinerareve dhe menaxhimit të tyre".
Deri tani devijimet e trafikut nga ana e Bashkisë, kanë sjellë vetëm kaos në rrugët e kryeqytetit dhe një devijim tjetër i trafikut mund të sjellë probleme më të shumta për shoferët e kryeqytetit.
Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan të ri masash në lidhje me devijimin e trafikut, si pasojë e punimeve për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej", gjë që ka shkaktuar kaos në qarkullimin e mjeteve.
Sipas Bashkisë, "masat e marra do të mundësojnë shmangien e trafikut dhe garantimin e punimeve për rigjallërimin e sheshit "Skënderbej".
Por deri tani në rrugët e kryeqytetit është e pamundur të lëvizet me makina.
Rrugët e Tiranës janë të pushtuara gjatë gjithë kohës nga një trafik i frikshëm dhe zhurma e pandërprerë e makinave. Për këdo që kalon në rrugët e kryeqytetit, këmbësor apo drejtues mjeti qoftë, trafiku është i zhytur në kaos, pasi Tirana është qyteti, ku fluksi i madh i trafikut është i pranishëm në pjesën më të madhe të ditës.
Komandanti i linjave të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Ferhat Hysi, thotë për ATSH-në se ndër shkaqet që rëndojnë qarkullimin në kryeqytet, është edhe sinjalistika rrugore.
"Megjithëse një pjesë e mirë e rrugëve është kompletuar me sinjalistikën e nevojshme, sinjalistika horizontale për këmbësorët në pjesën më të madhe të rrugëve në kryeqytet, mungon", tha Hysi.
Sipas tij, "nëse do të ketë një studim për t'i bërë rrugët njëkalimshe, si dhe vënien në funksion të semaforëve që do të orientonin trafikun, qarkullimi i mjeteve do të lehtësohej ndjeshëm. Edhe pse në një pjesë të mirë të rrugëve, semaforët janë funksionalë, ato nuk janë të lidhur me njëri tjetrin, çka krijon çorientim të kalimit të automjeteve në akset rrugore pranë njëri- tjetrit".
Është polici i qarkullimit rrugor ai që kryen rolin e semaforit, por jo gjithmonë kjo është një zgjidhje e kaosit të trafikut në kryeqytet./s.s./