English

Vlorë: Nis Pastrimi I Pyllit Të Sodës Nga Ndërtimet Pa Leje

VLORË, 17 qershor /ATSH-H.Koçi/ - Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) nisi sot aksionin për pastrimin e Pyllit të Sodës, në perëndim të qytetit të Vlorës, nga objektet pa leje të ndërtuara gjatë viteve të fundit. Në këtë aksion, që drejtohet nga Drejtori i INUK, Gjergji Bojaxhiu, janë planifikuar të prishen 80 objekte, prej të cilave 50 të identifikuara si banesa dhe pjesa tjetër lokale, të ndërtuara kryesisht në vijën bregdetare. Në ditën e parë, me mbështetjen edhe të forcave të rendit, INUK ndërhyri në një numër objektesh që nuk janë përfshirë në procesin e legalizimit. Aksioni që do të vazhdojë gjatë tre ditëve në Pyllin e Sodës, pason ndërhyrjet e realizuara gjatë javëve të fundit në zonën e Ksamilit, Sarandë. Në një prononcim për mediat, Bojaxhiu, nënvizoi se "aksioni i sotëm është pjesë e procesit që ka nisur për pastrimin e bregdetit shqiptar nga ndërtimet pa leje. Me këtë veprim ne u japim një mesazh të qartë atyre që çdo ditë kërkojnë të ngushtojnë hapësirat e gjelbërta. Ai theksoi se aksioni që nisi me zonën e Ksamilit përbën një proces që do të vazhdojë sistematikisht përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, me qëllim që të mos cënohen vlerat turistike. Pas aksionit në Pyllin e Sodës do të ndërhyhet në zonën nga Kepi i Rodonit në Bisht Pallë, duke përmbyllur kështu dhe fazën e parë të aksionit për pastrimin e zonës bregdetare nga ndërtimet pa leje. "Për shkak të sezonit veror, aksioni do të rinisë në vjeshtë, kur do të studiohen dhe do të evidentohen objektet e ndërtuara pa leje në zonën nga Vlora në Orikum", tha Bojaxhi. Pylli i Sodës, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 670 hektarësh, është një nga zonat e gjëlbëruara më të rëndësishme për Vlorën dhe cilësohet ndryshe "mushkria e qytetit". Pak ditë më parë, INUK mbylli një prej aksioneve më të mëdha të zhvilluara në Shqipëri, të emërtuar "Pastrimi i Rivierës", gjatë të cilit u shembën 320 objekte në Ksamil dhe Bërdnesh, Sarandë./ch/
KOMENTE