English

Acit: Qeveria Duhet Të Jetë Partner I Sektorit Fason

TIRANE 18 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Drejtori i Qendrës Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), Gentian Elezi kërkoi të premten, angazhim më të madh të qeverisë për mbështetjen e sektorit të fasonit (tekstile dhe këpucë) për të përballuar pasojat e krizës globale. Gjatë prezantimit të një studim mbi ndikimin social dhe ekonomik te krizës globale në Shqipëri, Elezi theksoi se si pasojë e krizës globale shitjet në sektorin e fasoneve pësuan rënie për shkak të pakësimit të furnizimit me lëndë të parë nga kompanitë porositëse, kryesisht nga vendet e zhvilluara, ku efektet e krizës ishin më të mëdha. Elezi renditi disa nga shkaqet e pakësimit të shitjeve, si ulja e furnizmit me lëndë të parë, anullimi i kontrata nga kompanitë kontraktore, rënie e kërkesës në tregjet e eksportit dhe të brendshëm, rritje e konkurencës brenda vendit, dhe në rajon, rritje e kostos së prodhimit, likuiditeti si dhe zhvlerësimi i lekut. "Përballë kësaj situate, ky sektor ka kërkuar tregje të reja shitjeje të produktit, ka përmirësuar cilësinë e produktit, ka pakësuar punësimin dhe i është drejtuar sistemit bankar për kreditim për të përballuar kostot", deklaroi Elezi. Kreu i ACIT-it theksoi se kriza në sektorin e fasonit, jep një ndikim të menjëhershëm në punësimin në Shqipëri, e nivelin e jetesës, duke shkaktuar një reaksion zinxhir në ekonominë e vendit. Sipas Elezit, gjatë kryerjes së studimit, përfaqësuesit e kësaj industrie kërkuan ndërhyrjen e qeverisë me mbështetje në marketingun ndërkombëtar, garantimin e kontratave dhe respektimin e tyre nga partnerët e huaj, minimizimin e kostove operative nga ana e shtetit, rimbursimin e TVSH-së për eksportuesit apo edhe reformimin e sistemit të pagesës së kontributeve shoqërore, konkretisht mbi pagesën faktike dhe jo atë të referencës. Kryetari i Dhomës së Fasonëve, Gjegj Gjika vuri në dukje faktin se sektori i fasonit ka disa sfida dhe po përballet me rënie të interesit të partnerëve, pasi konkurenca në rajon është rritur ndërsa teknologjia që po përdoret në vendin tonë është jashtë standardeve. "Kemi prodhim jo të plotë të produkteve, atë që quhet "cikël i mbyllur", një fazë që kërkon kohë më shumë dhe ka më pak fitim", deklaroi Gjika. Sipas tij, edhe në rastet kur disa kompani kanë arritur të fusin teknologji të re, përballen me mungesë të arsimit profesional, ç'ka bën që efektshmëria në Shqipëri e këtij biznesi, të jetë 55 %. Ashtu siç edhe doli nga anketimi i bizneseve fasoniste, Gjika tha se është i domosdoshëm marketingu politik agresiv. Në një tryezë me përfaqësues nga sektori privat (fasonë), dhe përfaqësues të organizatave të bizneseve, ACIT me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) prezantoi sot studimin mbi impaktin e krizës, e rekomandoi mënyrat e mundshme për të mbështetur sektorët e prekur dhe shtresat në nevojë, me synim, formulimin e propozimeve për politikbërësit dhe aktorët e tjerë për minimizimin e pasojave të krizës. Në studim u përfshinë 77 kompani fason në tre qytete të vendit, konkrtisht, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Sipas statistikave, në Shqipëri janë 472 kompani që përfshihen në industrinë e fasonit, ku janë punësuar rreth 103 mijë punonjës. Eksportet e kësaj industrie llogaritet që zënë 3/4 e totalit të eksporteve shqiptare./n.m/
KOMENTE