Belortaja: Industria E Fasonit Po Mbahet Me Sukses Perballe Presioneve Te Jashtezakonshme Te Krizes Globale
TIRANE 18 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/-Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja deklaroi të premten se, industria e fasonit (tekstile dhe këpucë) po mbahet me shumë sukses përballe presioneve të jashtëzakonshme të krizës globale.
"E rëndësishme është të theksojmë se ky sektor vazhdon të jetë vital dhe të performojë mirë në Shqipëri ndryshe nga disa vende të tjera edhe të rajonit që kanë ndjerë në mënyrën më të ashpër goditjet e krizës në Shqipëri", tha Belortaja gjatë një tryeze pune, organizuar nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT).
Sipas tij, ky sektor vazhdon të performojë dhe të ekportojë me suskes në tregje të vendeve, të cilat janë goditur nga kriza.
Por ai pranoi se "ka disa vështirësi që lidhen me gjendjen e likuiditetit, për arsye se tregjet e shitjes së produkteve fason janë vendet e zhvilluara, ku edhe goditjet e krizës janë edhe më të ashpra dhe kjo është arsye që ka çuar në vonesa në pagesa dhe vonesa në pagesa krijon një cikël vështirësie".
Sipas Belortasë, kjo situatë sygjeron një ndërhyrje më të mirë të hallkave shtetërore me politika zbutëse dhe mbështetëse, sidomos me masa që nuk kanë kosto, si mbështetja e fortë politike me prezencë dhe marketingu në kanalet ndërkombëtare, apo një rol më i mirë i diplomacisë ekonomike dhe përfaqësive jashtë për të mbështetur të tërë nismat e industrisë me fason për gjetjen e partnerëve, tregjeve apo tërheqjen e teknologjive të avancuara.
"Eksportet tona në përgjithësi shënojnë një rritje spektakolare përsa i përket totalit të eksporteve", tha Belortaja duke ju referuar INSTAT-it.
"Po ti referoshesh shifrave zyrtare të INSTAT për katërmujorin e parë të vitit vërehet një rritje prej 60 % e totalit të ekporteve, gjë që nuk po ndodh në asnjë nga vendet e zhvilluara apo edhe të atyre përreth", u shpreh zvministri i Punëve të Jashtme.
"Ne jemi të kënaqur që industritë fason po vazhdonë të ruajnë tregjet e tyre të jashtme edhe pse me disa vështirësi si likuiditeti dhe me konkurueshmërinë për arsye të rritjes së çmimit të disa imputeve që përdoren në fason, apo vështirësisë për të çarë në tregje", u shpreh ai.
Belortaja vlerësoi si hap pozitiv faktin që "kjo indsutri po mbahet me shume suskes përballe presioneve të jashtëzakonshme të krizës globale", duke vlerësuar se ka tregues, që sygjerojnë për ndërhyrje dhe politika të menjëhershme në mbështetje të këtij sektori, ku punësohen një masë e gjerë, prej mbi 80 mijë punonjës
"Të dhënat e paraqitura janë të shkëlqyera për të reflektuar për politika dhe mundësi mbështetëse për këtë sektor", tha Belortaja.
Në një tryezë pune me përfaqësues nga sektori privat i fasonit dhe përfaqësues të organizatave të bizneseve, ACIT prezantoi sot një studim mbi impaktin e krizës, ndërsa u ndal në rekomandimet e mundshme për të mbështetur sektorët e prekur dhe shtresat në nevojë.
Studimi ka bërë një eksplorim të situatës ekonomike në vend pas krizës globale, për të formuluar më tej propozimet për politikbërësit dhe aktorët e tjerë për minimizimin e pasojave të krizës. Në studim u përfshinë 77 kompani fason në tre qytete: Tiranë, Shkodër dhe Korçë./n.m/