English

Beqja: Biznesi i vogël e familjar po falimenton

Tiranë, 18 qershor, NOA – Partia Socialiste reagoi sot për situatën ekonomike në vend duke e cilësuar atë si mjaft të rënduar si pasojë e mungesës së masave nga ana e qeverisë. Nënkryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Ilir Beqja, u shpreh seqeveria është në panikun e krizës ekonomike.

Sipas tij keqadministrimi fiskal po e çon vendin në humnerë. Duke ju referuar të dhënave, Beqja u shpreh se edhe në muajin maj vazhdon të thellohet deficiti. “Individët jetojnë më keq se një vit më parë, biznesi i vogël e familjar po falimenton, korporatat fitojnë më pak dhe investojnë më pak në makineri e pajisje, ndërsa Banka Botërore deklaron se janë rritur taksat e ryshfetit dhe të kohës”, u shpreh Beqja.

Ai theksoi se në pesë muajt e parë të vitit 2010, qeveria ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave tatimore.

“Mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit”, tha deputeti i PS. Sipas tij situata përkeqësohet edhe më shumë.

“Në një kohë kur qeveria mburret se të ardhurat tatimore në total janë rritur me 3.5 % krahasuar me një vit më parë, nuk mund të lihet pas dore fakti se inflacioni 5 mujor është 3.8 %, pra sërish kemi të bëjmë jo me rritje, por me rënie të ekonomisë. Të ardhurat e TVSH nga mallrat e shërbimet brenda vendit është 10 % më pak se një vit më parë. Kjo është dëshmia më kokëfortë se vendi është në krizë”, u shpreh Beqja.

m.xh/NOA

KOMENTE