Tiranë, 18 qershor 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim të përzemërt zotin James Berisha, pilotin e njohur kosovar, me banim në SHBA, me famë ndërkombëtare, i cili në kuadër të misionit të tij “Të fluturosh për Kosovën” prej më shumë se një vit përshkon me avionin dhe ekuipazhin e tij kontinente të tëra për të promovuar pavarësinë e Kosovës.
Berisha i uroi zotit James Berisha mirëseardhjen në Tiranë duke e përgëzuar atë dhe ekipin e tij për misionin fisnik të sensibilizimit të opinionit botëror për njohjen e pavarësisë së Kosovës përmes flutirimit me avionin e tij Cesna.
Duke e cilësuar zotin James Berisha si kryepilotin shqiptar, kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për këto përpjekje për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar pavarësinë e saj si një nga faqet më të shkëlqyera të historisë së kombit shqiptar dhe si shpërblimi më i mirë për tërë ato breza që u flijuan, u sakrifikuan dhe u shkrumbuan, pa mundur ta shohin dot të realizuar ëndrrën e tyre për një Kosovë të pavarur.
Ju falënderoj me mirënjohje, u shpreh kryeministri Berisha, misioni juaj ka patur një jehonë botërore dhe është një tregues i shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve, të cilët pas shumë vitesh përpjekjesh kanë kristalizuar genin e mbijetesës.
Zoti James Berisha falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe fjalët e ngrohta, duke i shprehur mirënjohjen për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e tij personal, të qeverisë shiptare e të popullit shqiptar në pavarësinë e Kosovës dhe në zhvillimin e mëtejshëm të saj, duke u ndalur veçanërisht edhe në ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë rëndësinë e saj historike.
Ai e njohu kryeministrin Berisha me vendimin për të vazhduar udhëtimin e tij misionar “Të fluturosh për Kosovën” edhe në kontinentin afrikan në 54 shtete të tjera të këtij kontinente.
Kryeministri Berisha nënvizoi se qeveria shqiptare do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të kapur vitet e gjata të humbura nga ndarja mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtë në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha theksoi se ai dhe qeveria shqiptare do të mbështesin zotin James Berisha dhe ekipin e tij të ri gjatë vazhdimit të misionit të tyre kaq fisnik e të rëndësishëm.
r.n/NOA