Bruksel- Rasmunssen-Thaçi: Situata E Sigurise Ne Kosove E Stabilizuar
R
PRISHTINË, 18 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Gjate ditës së parë të vizitës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmunssen, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
"Sekretari Rasmunssen ka vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë si te stabilizuar dhe ka përshëndetur progresin e arritur në këtë fushë. Kjo situatë ka mundësuar që të vazhdojmë me reduktimin gradual të forcave të KFOR-it në Kosovë", theksohet në komunikatën e mbrëmshme të zyrës së shtypit të Qeverisë kosovare.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lart rolin e NATO-s dhe bashkëpunimin e deritanishem me Qeverinë e Kosovës. "Ne jemi të përkushtuar të rrisim bashkëpunimin në të gjitha fushat edhe në të ardhmen", ka thënë kryeministri Thaçi.
Kosova ka progres të theksuar në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe KFOR-i do të vazhdojë bartjen e kompetencave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe në sigurimin e kufijve në Kosovë, ka vlerësuar sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmunssen.
Kosova e mirëpret reduktimin e forcave të KFOR-it, sepse ky reduktim vjen si rezultat i rritjes së sigurisë dhe paqes në Kosovë, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka theksuar se reduktimi nuk do të shkaktojë asnjë vakum në fushën e sigurisë, sepse institucionet e kosovare të sigurisë janë të gatshme të marrin të gjitha kompetencat në fushën e sigurisë.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe sekretari Anders Fogh Rasmunssen janë pajtuar që NATO të vazhdojë mbështetjen e saj në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Temë e bisedës mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe sekretarit Anders Fogh Rasmunssen kanë qenë edhe zhvillimet në veri të Kosovës. Është vlerësuar se zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës kanë filluar të shënojnë progres. Kryeministri ka kërkuar nga NATO një bashkëpunim edhe më të madh në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të ecur me hapa të shpejte në përmbushjen e të gjitha kritereve, që Kosova një ditë të bëhet pjesë e programit të NATO-së Partneritet për Paqe. Kosova është e përkushtuar përgjithësisht, ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi, që të vazhdojë angazhimet e saja në rrugën e integrimeve euroatlantike. /a.ke/