English

Dade: Negociatat dështuan për faj të Berishës

Tiranë, 18 qershor, NOA – Deputetja e Partië Socialiste, Arta Dade u shpreh sot se mungesa e një zgjedhje për situatën politike në vend ka ardhur si pasojë e qëndrimit të Kryeministrit Sali Berisha.

“Kanë ekzistuar të gjitha mundësitë që kriza të zgjidhej, dhe këto mundësi janë ende, duke respektuar Kushtetutën dhe transparencën, por pengesa e vetme është Sali Berisha”, u shpreh Dade.

Në një deklaratë për mediat të dhënë sot, Dade u shpreh se ndërkombëtarët tashmë e kanë të qartë se është Kryeministri ai që nuk pranon transparencën.

“Të gjithë shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar e kanë plotësisht të qartë se Sali Berisha ka frikë nga transparenca. Frika nga e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit e bën atë të mos stepet edhe duke sakrifikuar integrimin europian të shqiptarëve dhe Shqipërisë, e të zvarrisë ashtu si deri më sot edhe vetë procesin e liberalizimit të vizave”, tha Dade.

Deputetja e PS ka shprehur dhe një herë keqardhjen për dështimin e përpjekjet e ndërkombëtarëve për të kontribuar në zgjidhjen e krizës. Sipas saj këto përpjekje “u përballën me kokëfortësinë e maxhorancës qeverisëse”.

Nga ana tjetër Dade ka rikonfirmuar qëndrimin e PS se “se hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve janë jo vetëm kërkesa legjitime, të bazuara në Kushtetutë dhe frymën europiane, por janë e vetmja mënyrë për ta nxjerrë Shqipërinë nga spiralja e zgjedhjeve që nuk plotësojnë standardet”.

m.xh/NOA

KOMENTE