English

Durrës: Berisha: Qeveria E Vendosur Të Mbështesë Bizneset

DURRËS, 18 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - "Qeveria shqiptare është e angazhuar të bëjë çdo përpjekje për suksesin e bizneseve në Shqipëri," tha sot në Durrës Kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të fabrikës së riciklimit të letrës dhe prodhimit të kartonit për ambalazhe, "Edipack". Duke vlerësuar nismën private të pronarëve të fabrikës "Edipack", Berisha tha se "ky investim është një dëshmi tjetër e entusiazmit të ekonomisë shqiptare, e cila, siç u bë e ditur edhe nga KE, qëndron në krye të listës për mirëfunksionimin e saj dhe që në kohën më të vështirë të krizës botërore i qëndroi rreziqeve dhe po përshpejton ritmet e zhvillimit të saj". Fabrika "Edipack" që ka nisur të ndërtohet në vitin 2003 në zonën periferike të Porto Romanos, 6 km larg Durrësit, me një investim prej 17 milionë euro, një pjesë e së cilës është financuar nga BERZH-i, përpunon 70-80 ton letër mbeturinë në ditë dhe ka mbi 370 klientë brenda dhe jashtë vendit. Kryeministri Berisha u shpreh se "leksioni më i madh nga kriza botërore është se rruga e vetme dhe më e sigurtë për t'u mbrojtur prej saj, është mbështetja e biznesit". "Që të gjithë stimujt e tjerë janë dytësorë," nënvizoi kryeministri Berisha. Më pas, duke iu drejtuar pjestarëve të familjes Baltëza si drejtues të biznesit të "Edipack", Berisha garantoi për mbështetjen e qeverisë, veçanërisht në suksesin e industrisë së riciklimit në Shqipëri, ku janë financuar deri tani rreth 80 milionë euro investime në riciklimin e letrës, qelqit, plastikës, etj. "Qeveria me një kuadër të ri aktesh ligjore dhe nënligjore do të krijojë një mbështetje të fuqishme për ju dhe bizneset në përgjithësi, që të bëheni një gjenerator i rëndësishëm për industrinë e vendit," tha më pas kryeministri Berisha. Duke çmuar specifikën që ka fabrika e riciklimit të letrës "Edipack" si "jashtëzakonisht të rëndësishme, që përbën një inkurajim të madh për mbrojtjen e mjedisit", Berisha u shpreh se "ne, në një dialog konstant me ju, me shoqatën tuaj të ricikluesve dhe me biznesin në Shqipëri, mbetemi të vendosur ta bëjmë Shqipërinë vendin më cilësor për biznesin dhe investimet". Fabrika e përpunimit të letrës "Edipack" plotëson në tëresi të gjitha nevojat e ambalazhimit të cilësisë më të lartë me letrën e cila nga hedhurinë kthehet përmes proçeseve përpunuese në një ambalazh cilësor për industrinë ushqimore. Përmes proçeseve të përparuara teknologjike ujrat e ndotura të kësaj fabrike mbeten brenda territorit të saj. Gjatë vizitës në fabrikën "Edipack", Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, deputetë dhe drejtues të pushtetit vendor në qarkun e Durrësit, etj./ch/
KOMENTE