Tiranë, 18 qershor, NOA – Një 37 vjeçare është sjellë në Shqipëri nga policia italiane për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare për shfrytëzim prostitucioni.
Bëhet fjalë për shtetasen Valbona Mehmet Kazanxhi, 37 vjeç, lindur në Fier dhe banuese në Tiranë. Kazanxhi së bashku me një person tjetër kanë shfrytëzuar në periudha të ndryshme kohore dy vajza të reja, 18 dhe 19 vjeç, për prostitucion.
Padia ndaj Kazanxhi është bërë në 19 prill të vitit 2007, nga vajzat me inicialet B. D. dhe E. D.
“Dy vajzat kanë kallëzuar se janë shfrytëzuar gjatë një periudhe dy vjeçare, për ushtrimin e prostitucionit nga shtetasja Valbona Kazanxhi. Kjo e fundit i gjente klientë këtyre dy shtetaseve dhe siguronte transportin e tyre në vendet ku ushtronin prostitucion, duke përdorur një taksi të cilën e dispononte i pandehuri Ismail Lasku”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Pas nisjes së procesit Kazanxhi duket se është larguar drejt Italisë, por bashkëpunimi me forcat e policisë së dy vendeve ka bërë të mundur dhe ekstradimin e saj në Tiranë.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 397/1, datë 18.07.2007, ndaj Kazanxhi ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 114/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftime e policisë.
m.xh/NOA