English

Gjata: Nuk Po Shfrytëzohen Hapësirat Ligjore Për Zgjidhjen E Situatës Politike

- Në një intervistë për ATSH-në, ish- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaron se "nuk mund të ketë transparencë përtej kritereve ligjore" - TIRANË, 18 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Ish- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, juristi Çlirim Gjata, deklaroi sot në një intervistë për ATSH-në, se "nuk po shfrytëzohen hapësirat ligjore për zgjidhjen e situatës politike në vend nga një pjesë e klasës politike shqiptare, që ka zgjedhur luftën politike në rrugë". I pyetur nga ATSH mbi hapësirat ligjore dhe kushtetuese për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, Gjata tha se "zgjidhja duhet të vijë përmes rrugës ligjore, duke zbatuar Kodin Zgjedhor ose rrugës kushtetuese, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias". Çdo kompromis politik jashtë këtyre kritereve, sipas tij, "do të sillte dëm, shumë më tepër se sa mosarritja e kompromisit". Sipas Gjatës, "nuk mund të ketë transparencë përtej kritereve ligjore". Duke iu referuar zgjedhjeve të mëparshme, Gjata tha për ATSH-në se "mund të ketë patur vendime të gjykatave për të cilat palët nuk kanë qenë dakord, madje janë kundërshtuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë në raportet përfundimtare të vëzhgimit të zgjedhjeve". Por sipas tij, "këto vendime janë zbatuar, pasi nuk mund të ketë zgjidhje alternative". Në këtë mënyrë do të shkonim pastaj drejt shtetit alternativ", tha ai. - Cilat janë hapësirat ligjore për zgjidhjen e kësaj situate, nisur edhe nga sugjerimet e ndërkombëtarëve që çështja t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe ajo mund të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias për hapjen e kutive? Mendoj se pikërisht hapësirat ligjore janë ato që janë konsumuar të parat në opinionet e juristëve. Dhe janë pikërisht hapësirat ligjore ato që nuk janë marrë parasysh nga një palë e politikës, por është ndjekur rruga e luftës politike në rrugë. Kjo situatë është perceptuar si e papranueshme edhe nga faktori ndërkombëtar. Edhe nga ky faktor, por jo vetëm, është kërkuar rruga institucionale, ligjore dhe kushtetuese dhe madje është kërkuar që zgjidhja e mbështetur në këto kritere të vijë nga vetë pala shqiptare dhe jo nga jashtë. Siç e keni parë deri më sot, palët thjesht janë ulur në tavolinë për bisedime, por nuk ka patur ndonjë zgjidhje të ofruar si kompromis nga jashtë. Përfundimisht mund të përsëris ato që juristët kanë thënë prej kohësh. Rruga e zgjidhjes është rruga ligjore, duke zbatuar Kodin Zgjedhor, që e kanë miratuar vetë dhe rruga kushtetuese apo institucionale, nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo e fundit e sheh të arsyeshme dhe mendoj se nuk ka pse jo, mund të merret një mendim nga Komisioni i Venecias si faktor teknik ndërkombëtar jo politik. Kompromis politik jashtë këtyre kritereve, vetëm për politikë, do sillte dëm shumë më tepër se sa pa kompromis fare. - Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor për hapjen ose jo të kutive të votimit? Këtë pikë e ka zgjidhur Kodi Zgjedhor në nenin 178 pika 6 e tij. Ka vetëm një moment kur hapen kutitë e votimit dhe ato të materialeve zgjedhore pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ. Në këtë moment ligjor ka mbaruar gjithshçka dhe në këtë dispozitë është përcaktuar procedura me anë të së cilës këto kuti hapen dhe materialet zgjedhore të listuara arkivohen, ndërsa fletët e votimit digjen. Gjithashtu është përcaktuar edhe institucioni që e realizon dhe si e realizon këtë procedurë të fundit teknike. Çedimi nga kjo procedurë nuk është gjë tjetër, veçse shkelje e ligjit. Pra, deri tani kemi patur protesta për të shkelur këtë pikë të ligjit. Nuk jam dakord me mendimin e disa juristëve që nuk ka asgjë të keqe që të anashkalohet kjo procedurë për hatër të parimit të transparencës. Me këtë opinion nuk jam dakord, sepse ligji i miratuar e ka parashikuar edhe zbatimin e transparancës dhe të të gjitha parimeve të tjera. Pra është zbatuar transparenca gjatë zbatimit të vetë ligjit. Transparencë tej kritereve ligjore dhe pas zbatimit të ligjit njëherë, nuk mund të ketë. Po të ishte kështu, atëherë çdo ligj ne mund ta shkelim, apo të mos e zbatojmë për hir të transparencës apo të ndonjë parimi tjetër. Kështu që më thoni ju lutem se ku fillon ligji e ku mbaron transparenca, apo anasjelltas? - Si jurist, por edhe si ish-kryetar i KQZ-së mund të na shpjegoni çfarë parashikon ligji për djegien e fletëve të votimit? A konsiderohet shkelje e ligjit mosdjegia e tyre? Do të ishte absolutisht antiligjore dhe precedenti më i pashembullt në rastet e shkeljes së ligjeve në një vend, mos zbatimi i procedurës së nenit 178 pika 6 të Kodit Zgjedhor. Them më i pashembullt, sepse do ketë mbështetjen e politikës. Do të dilte përsëri politika mbi ligjin, në plan të parë, si i thonin dikur. Fakti që je politikan dhe ke fuqi të mëdha politike, nuk të jep të drejtën të mos zbatosh ligjin si qytetari më i thjeshtë. - Ka pasur në zgjedhjet e mëparshme precedente për shkelje të vendimeve të gjykatave? Nuk dua të bëj historianin e zgjedhjeve, sepse nuk jam historian, jam jurist dhe duke u munduar t'i shmangem konfliktit të interesit, mund t`ju përgjigjem në parim. Ka patur vendime të gjykatave në lidhje me zgjedhjet për të cilat palët nuk kanë qenë dakord. Madje edhe unë mund të mos kem qenë dakord me ndonjë prej tyre. Ka patur të tilla që janë kundërshtuar edhe nga vezhguesit ndërkombëtarë në raportet përfundimtare të vëzhgimit të zgjedhjeve. Ka patur deri edhe mandate të padrejta të dhëna me vendim gjykate. Por të gjithë kemi ulur kokën dhe i kemi zbatuar. Zgjidhje alternative nuk ka, sepse do të shkonim pastaj drejt shtetit alternativ. - Cilat janë sipas jush ndryshimet që duhet të kryhen në Kodin e ri Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme? Mendoj se ndryshimet duhet të përqendrohen në tre momente kryesore. Së pari, në reformimin konceptual të administrimit zgjedhor, duke futur konceptin e kryekomisionerit si nëpunës shtetëror. Së dyti, në kontrollin e veprimtarisë së pushtetit vendor, drejtuesve të tyre, që kryejnë veprimtari zgjedhore, siç janë hartimi i listave dhe caktimi i qendrave të votimit. Dhe së treti, reformimi i procesit ankimor si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë interpretativ ligjor./s.s./
KOMENTE