Tiranë, 18 qershor, NOA - Inspektoriati Ndërtimor ka bërë me dije sot se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e njohur si zona e Vilave në Vlorë është kryer në bazë të procedurave krejt të rregullta ligjore.
Duke reaguar në shenjë kundërshtuese ndaj akuzave që i janë bërë këtij aksioni, ky institucion ka pohuar se ky operacion ka si qëllim pastrimin e bregdetit dhe zonave të tjera.
“Lidhur pretendimet e disa personave më mbiemër Kadëna, të cilët thonë se u është prishur një ndërtim i vjetër në pronësi të tyre sqarojmë se asgjë nuk është e vërtetë. Inspektoriati Ndërtimor sqaron se pronësia e pretenduar me disa dokumenta shumë të vjetra është mbi një objekt që është shembur prej dekadash, dhe nuk ekziston më. Objekti në fjalë ka qenë në pronësi të pretenduesve, por është shembur në kohën kur nisi ndërtimi i vilave qeveritare”, sqarohet në deklaratën e Inspektoriatit.
“Vetëm para pak ditësh Inspektoriati Ndërtimor mbylli një prej aksioneve më të mëdha të organizuara në Shqipëri. Ndërhyrjet e tij synojnë të hapin rrugën për zhvillimin e një turizmi elitar dhe të qëndrueshëm në bregdetin e Jonit dhe planifikohet të ketë disa faza të cilat do të përfundojnë deri në fund të këtij viti”, përfundon ajo.
n.e/NOA