English

Kirgistan - Otubajeva: Numri I Të Vdekurve 10 Herë Më I Lartë Nga Të Dhënat Zyrtare

BISHKEK, 18 qershor /ATSH-MIA/ - Shefja e qeverisë së përkohshme të Kirgistanit, Roza Otunbajeva deklaroi se numri i të vdekurve në pjesën jugore të vendit është 10 herë më i lartë sesa të dhënat zyrtare. "Unë mendoj se numri është 10 herë më i lartë sesa të dhënat zyrtare (191). Në zonat fshatare ka shumë viktima, ndërkohë që tradita jonë është varrimi i menjëhershëm i të vdekurve deri në agim", tha ajo në një intervistë për gazetën ruse ''Kommersant''. Otunbajeva do të shkojë sot në këtë zonë, në jug të vendit, që të njoftohet me situatën që sipas saj përbën një lloj të ri terrorizmi - përleshjet ndëretnike - dhe që pas kësaj qëndron familja e ish-presidentit Kurmanbek Bakijev. "Aktualisht punojnë disa grupe hetimore. Për shkak se këto ishin vrasje masive, kërkohet edhe hetim ndërkombëtar", theksoi Otunbajeva. Sipas saj, Kirgistani pret përgjigje nga Rusia për kërkesën për ndihmë në sigurimin e objekteve strategjike. Ndihmë ishte kërkuar edhe nga SHBA-ja, nga baza e saj në Manas./ a.jor.
KOMENTE