Kosova Merr Nga Malavi Konfirmimin E Mbeshtetjes Se Fuqishme
PRISHTINË, 18 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Në kuadër të vizitës që po bën në Malavi, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, mbrëmë mori pjesë në një banket shtetëror me ftesë të Presidentit Mutharika.
Presidenti Bingu Wa Mutharika tha se ndihet krenar që vendi i tij është një nga vendet e para të Afrikës që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai, po ashtu, rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, njofton sot zyra e shtypit e Presidentit të Kosovës.
Në fjalën e tij, Presidenti Sejdiu tha se "patëm mundësinë të përcjellim falënderimet e drejtpërdrejta shkëlqesisë së Tij, Presidentit Mutharika, për vendimin e madh që ka marrë bashkë me vullnetin e popullit të tij, për të njohur pavarësinë e Kosovës. Pata mundësinë që ta njoftoj për zhvillimet dhe progresin që ka bërë Republika e Kosovës, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe po kështu e njoftova edhe për vizionin e shtetit tonë të ri, per te ndërtuar dhe zhvilluar paqen dhe stabilitetin".
Më tej, Presidenti Sejdiu tha se, përkundër faktit që është një distancë e madhe gjeografike që i ndan të dy vendet, megjithatë, janë çështje të shumta që lidhin fuqishëm. "Është e vërtetë se ne na ndan distancë e madhe gjeografike, por na afrojnë çështjet e shumta që lidhen edhe me të kaluarën, por edhe me vizionin tonë për të ardhmen. Edhe Republika e Kosovës, sikur edhe Republika e Malavit, kanë pasur fatin e njëjtë që të kenë shumë miq në botë, u kanë zgjatur dorën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes për zhvillime të shpejta duke u përballur me të gjitha sfidat që dalin para nesh. Prandaj, po them që në këtë kohë kur ne po jetojmë, e kemi për borxh që të bëjmë shumë për gjeneratat e ardhshme. Secili shtet, në vendin e vet dhe me mundësitë e veta, të rrezatojë gjithmonë energji pozitive", tha Presidenti Sejdiu.
Ai kërkoi mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme nga Republika e Malavit si dhe nga vendet e tjera mike. "Në presim mbështetjen e Republikës së Malavit dhe të gjithë shteteve mike, që do ta njohin Republikën e Kosovës sa më shpejtë. Janë 69 shtete që e kanë njohur deri tani dhe presim njohje të tjera të menjëhershme, për të mundësuar një ecje më të shpejtë dhe anëtarësim në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë", tha Presidenti Sejdiu. /a.ke/