English

Kosova nënshkruan dy marrëveshje me Belgjikën

Prishtinë, 18 Qershor, NOA - Kosova dhe Belgjika nënshkruan sot dy marrëveshje të cilat kanë të bëjnë me fushën e transportit rrugor dhe transferimin e të burgosurve.

Ka qenë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që i ka firmosur ato në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, ku është pritur nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton dhe kryeministri belg, Yves Leterme.

Bashkë me ta ai ka folur për proceset e bashkëpunimit rajonal, progresin e mëtutjeshëm në procesin e liberalizimit të vizave dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë.

Thaçi me këtë rast ka shprehur qëndrimin se republika e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të avancimit të proceseve pozitive në rajon, të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

“Kosova ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa kryeministri belg, Yves Leterme edhe një herë e ka konfirmuar mbështetjen për zhvillimin e Kosovës dhe për perspektivën evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE