Tiranë, 18 qershor, NOA – Qytetarët shqiptarë do të mund të shkojnë në Kroaci pa viza gjatë periudhës 1 korrik-31 tetor 2010, falë një vendimi të marrë nga qeveria kroate.
Një lajm të tillë, kryeministrit Berisha ia komunikoi zyrtarisht ambasadori kroat në Tiranë, Darko Javorski, i cili tha se ky vendim duhet të merret “si një shprehje e marrëdhënieve të ngushta të partneritetit dhe miqësisë që ekzistojnë midis dy vendeve tona, të cilat u anëtarësuan së bashku në NATO dhe kanë ndërtuar një gamë të gjerë bashkëpunimi të shkëlqyer në të gjitha fushat në dobi të së mirës së ndërsjellë të të dy popujve tanë”.
Por në takim i tha se ky vendim vjen edhe si rezultat i rezultateve të larta të qeverisë shqiptare në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, çka ka bërë të mundur që kontrolli i kufijve dhe siguria e dokumenteve në Shqipëri të jetë në standardet më të larta në Evropë.
“Dhe ne presim që së shpejti shqiptarët të marrin lajmin e mirë për lëvizjen pa viza në Bashkimin Evropian”, u shpreh ndër të tjera ambasadori kroat, Javorski.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi përfaqësuesin kroat për këtë lajm të madh e të gëzuar që ai u sjell sot shqiptarëve dhe përmes tij, i përcolli kryeministrit të Kroacisë, Kosor, falënderimet dhe përshëndetjet më të përzemërta.
“Ky vendim është një kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe një ndihmesë e çmuar për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në rajon”, tha kreu i qeverisë, lidhur me një fakt të tillë.
Në takim u theksua ndër të tjera se vendimi për heqjen e vizave për sezonin turistik, i cili u mor pas insistimit të qeverisë shqiptare, do t’u sjellë një shërbim të madh qytetarëve shqiptarë, që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Kroaci, apo të zhvillojnë aktivitete të ndryshme tregtare me këtë vend, por në veçanti ai lehtëson jashtëzakonisht emigrantët shqiptarë që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri me familjet e tyre dhe u duhet për këtë të lëvizin tranzit përmes Kroacisë.
n.e/NOA