English

Kryeprokurorja Rama: Lufta Ndaj Korrupsionit, Sfidë E Kohës

-Gjate një takimi me prokurorë të rajonit në Beograd të Serbisë- TIRANE, 18 Qershor/ATSH/ . - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cilësoi luftën kundër korrupsionit si një sfidë të kohës së sotme, gjatë një takimi me drejtues të prokurorive të rajonit, në Beograd të Serbisë. E pranishme në Konferencën me temë "Luftimi i Korrupsionit në Europën Jug-Lindore: Sfidat bashkëkohore", zhvilluar në Beograd, Kryeprokurorja Rama shprehu rëndësinë e luftës kundër korrupsionit si dhe parandalimin e tij. Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se në fjalën e saj, Kryeprokurorja Ina Rama u përqendrua në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit sot, rolin e prokurorëve dhe sfidat që përballen. Gjithashtu, ajo përcolli eksperiencën e njësive të përbashkëta hetimore të ngritura së fundmi, Task Force, në Shqipëri si një metodë që po funksionon, arritjet dhe sfidat. Sipas Prokurores se Përgjithshme, perceptimi i korrupsionit, abuzimi me detyrën dhe krimi financiar, vjen shqetësues dhe në rritje nga disa drejtime. "Motoja kryesore që udhëheq punën e Njësive të Përbashkëta është puna në grup dhe fakti që si suksesi, ashtu dhe dështimi, është i të gjithëve bashkë", tha Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Megjithëse këto Njësi kanë një periudhë të shkurtër që ushtrojnë aktivitetin, treguesit e punës janë pozitivë dhe premtues, shtoi më tej ajo, duke përmendur rritjen e numrit të rasteve të hetimit të krimit financiar, korrupsionit, krimit kompjuterik dhe pastrimit te parave, rritjen e numrit te rasteve te ngritjes së akuzes ne gjykatë për këto lloj veprash penale, rritjen e numrit të personave të dënuar për këto vepra penale, rritjen e numrit të rasteve të hetimeve dhe dënimeve për korrupsion të zyrtarëve të nivelit të mesëm dhe të lartë, të zgjedhurve vendore, prokurorëve dhe gjyqtarëve etj. "Por, vëmendje të vecantë, u shpreh Prokurorja e Përgjithshme, i kemi kushtuar dhe hetimit të rasteve për veprën penale të pastrimit të parave. Janë arritur rezultate falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë të punës ndërmjet FIU, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme". Në fjalën e saj, ajo nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, shkëmbimin e eksperiencave në luftën kundër korrupsionit, duke e konsideruar këtë luftë si një sfidë të ditëve që jetojmë. Konferenca e zhvilluar në Beograd, është pjesë e një projekti rajonal që ka si temë "Luftimi i Korrupsionit në Europën Jug-Lindore: Sfidat bashkëkohore". Ky aktivitet zhvillohet në kuader të projektit Proseco i financuar nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës, mbështetje për rrjetin e Prokurorëve në Evropën Juglindore. Takimin e ka përshendetur Presidenti i Republikës së Serbisë, Boris Tadiq, pasuar nga fjala e mirëseardhjes e Prokurorit Publik të Republikës së Serbisë, Zagorka Dolovac. /a.m//a.ke/
KOMENTE