Tiranë, 18 qershor, NOA - Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio ka vlerësuar arritjen e standardeve në trajtimin e të burgosurve në disa prej burgjeve kryesor në vend.
Montobio ka theksuar se Shqipëria po vazhdon të avancojë në modernizimin e institucioneve të saj dhe në përqasjen me standartet ndërkombëtare në fushën juridike, një fushë në të cilën Spanja mbështet aktivisht Shqipërinë nëpërmjet disa projekteve. “Drejtësia nuk ka të bëjë vetëm me efikasitetin në ndjekjen dhe ndëshkimin e shkeljeve të ligjit, por gjithashtu edhe me respektimin e dinjitetit dhe të drejtave njerëzore të të burgosurve”, ka thënë ai.
Deklarata e ambasadorit të Spanjës u bë sot gjatë përurimit të investime në qendrën penitenciare të grave në Tiranë.
Projekti i inauguruar është një investim i spanjoll nga Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (AECID) për Zhvillim. Miratimi i projektit është bërë me Drejtoritë e Përgjithshme të Institucioneve Penitenciare të Spanjës dhe Shqipërisë.
Ky projekt prej 450.000 eurosh, synon të pajisë qendrat e ndryshme penitenciare me materialet dhe pajisjet e nevojshme për të kryer aktivitete trajnimi dhe terapeutike që promovojnë ripërfshirjen në shoqëri të të privuarve nga liria.
m.xh/NOA