Pollo: Regjistrimi I Popullsisë Dhe Banesave, Proces I Rëndësishëm Për Vendin
- Organizohet në Tiranë seminari mbi regjistrimin e popullsisë dhe banesave (2011) -
TIRANË, 18 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo vlerësoi sot, se regjistrimi i popullsisë dhe banesave është një ndër proceset më madhore dhe me rëndësi për Shqipërinë.
Ministri Pollo mori pjesë sot në seminarin e organizuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) dhe Projekti i BE-së "Asistencë Teknike për Zyrën e Statistikave Kombëtare dhe Zyrat e saj Rajonale në Shqipëri".
INSTAT do të zhvillojë vitin e ardhshëm regjistrimin e popullsisë dhe banesave (REPOBA), një projekt që ndihmon në krijimin e një baze të dhënash për një politikë-bërje dhe qeverisje më të mirë.
Pollo tha se "ky projekt synon gjithashtu të përafrojë sistemin kombëtar statistikor me atë evropian. Ne do të kemi një inventar të avancuar, me të dhëna sipas standardit të Eurostat-it dhe që përdoren në shtetet anëtare të BE-së për indidividët, familjet, komunitetet".
Rëndësia e një regjistri të plotë, të saktë dhe të detajuar të popullsisë dhe banesave, sipas tij, "e shtyu qeverinë që me fondet e saj, por edhe me ndihmën e donatorëve të ndërmarrë një ndër investimet më të mëdha për Shqipërinë".
Buxheti total i këtij projektit të regjistrimit të popullsisë deri në vitin 2011 parashikohet në vlerën prej afro 15 milion euro, ku Qeveria Shqiptare mbulon rreth 5 milion euro, Fondet e Para-Aderimit (IPA) 8 milion euro, UNFPA 1 milion Euro si dhe financime të tjera nga UNDP dhe Statistikat Suedeze etj.
Ministri Pollo theksoi se projekti do ti shërbejë qeverisë për të ndërmarrë politika më të mira social-ekonomike dhe do të ketë kontribut të padiskutueshëm në procesin e vazhdueshëm të demokratizimit dhe zbatimit të vetë-qeverisjes lokale.
Përveç krijimit të një arkivi të saktë të të dhënave, Pollo theksoi se "përmes regjistrimit, synohet plotësimi i një prej detyrave madhore të integrimit të vendit. Regjistrimi i popullsisë dhe banesave është arritja e një prej standardeve që kërkon BE dhe ky proces synon të barazojë Shqipërinë me vendet e tjera të zhvilluara".
INSTAT ka kryer një regjistrim pilot në periudhën prill dhe maj 2010, i cili është zbatuar në 3100 banesa në qytete të ndryshme të vendit, që ndërsa ka rezultuar i suksesshëm, i hap rrugë projektit kombëtar për regjistrimin e popullisë dhe banesave që do të kryhet në vitin 2011.
Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe banesave në Shqipëri është bërë në vitin 2001. Në dekadën e fundit, kushtet politike, ekonomike dhe sociale të vendit kanë ndryshuar falë procesit të zhvillimit social-ekonomik të vendit. Lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë lëvizje demografike të mëdha dhe ndryshim të të dhënave statistikore.
Qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend dhe të sigurojë informacionin bazë në formën e të dhënave elektronike individuale, mjaft thelbësore për ndërtimin institucional, zhvillimin demokratik dhe qeverisje të mirë të Shqipërisë.
Në seminar ishin të pranishëm edhe z. Helmuth Lohan, Kreu i Delegacionit Europian në Shqipëri, Ines Nurja, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, përfaqësues të EUROSTAT, etj./n.m/