English

Ps: Kriza Zgjidhet Me Kushtetueshmëri Dhe Transparencë

TIRANË, 18 Qershor/ATSH/.- Partia Socialiste rikonfirmoi sot se "hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve janë kërkesa legjitime, të bazuara në Kushtetutë, që e nxjerrin Shqipërinë nga zgjedhjet që nuk plotësojnë standardet, ndërsa garantojnë që zgjedhjet e ardhshme të jenë konform tyre". Në një deklaratë për mediat, sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade tha se përpjekjet e ndërkombëtarëve për të kontribuar në zgjidhjen e krizës u përballën me kokëfortësinë e maxhorancës qeverisëse. "Tashmë të gjithë shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar e kanë plotësisht të qartë se Sali Berisha ka frikë nga transparenca e zgjedhjeve, gjë që e bën atë të zvarrisë edhe vetë procesin e liberalizimit të vizave", tha ajo, duke shtuar se PS dhe opozita e bashkuar do të vazhdojnë betejën për kauzën e transparencës. PS reagoi sot edhe për situatën ekonomike në vend, ku sipas saj, keqadministrimi fiskal po e çon vendin në humnerë. Në një deklaratë për shtyp, deputeti i PS-së, Ilir Beqaj vërejti se gjatë pesë muajve të parë 2010, qeveria ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave tatimore, pasi sipas tij, mungojnë 12.4 miliardë lekë në arkën e shtetit. "Në një kohë kur qeveria mburret se të ardhurat tatimore në total janë rritur me 3.5 % krahasuar me një vit më parë, nuk mund të lihet pas dore fakti se inflacioni 5 mujor është 3.8 %, pra kemi të bëjmë jo me rritje, por me rënie të ekonomisë", tha Beqaj. Sipas tij, shpenzimet për investime publike janë 30 % më të të ulëta se e njëjta periudhë e vitit 2009./n.m/
KOMENTE