Qendra "Fluturo Për Jetën"-Nis Trajnimi I Specialistëve Për Trajtimin E Fëmijëve Autikë
TIRANË, 18 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Pas lançimit të nismës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Autizmin, Fondacioni i "Fëmijëve shqiptare", me Presidente znj.Liri Berisha, ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm, trajnimin e specialistëve të Qendrës "Fluturo për jetën" me metodat më bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve autikë.
Ky trajnim bëhet në kuadër të Projektit "Program Formimi në ndërhyrjet e sjelljes për terapist fëmijësh me çrregullime te spektrit autik", një bashkëpunim i Fondacionit "Fëmijët shqiptarë", i njohur për mbështetjen e fëmijëve autikë, me asistencën profesionale nga "Autism speaks", në Nju Jork, i financuar nga fondacioni "Vodafone Albania".
Projekti do të zbatohet në një periudhë 1- vjeçare, gjatë së cilës specialistët e Qendrës do të trajnohen, mbikqyren dhe çertifikohen profesionalisht nga ekspertë amerikanë të Autism Speks në Nju Jork. Në kuader të këtij projekti, do të hartohet një model trajnimi në shqip, i cili do të përdoret më pas, për të trajnuar dhe çertifikuar specialistë të qendrave të tjera në këtë fushë.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekti, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë sjellj në Shqipëri modelin "Standard" të trajtimit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, si dhe do të realizojë ndërtimin e infrastrukturës për trajnimin në distancë të specialistëve. Përfitues të projektit do të jenë fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, familjet e tyre, si dhe profesionistët e asistencës së drejtëperdrejtë terapeutike për fëmijët autik në Shqipëri.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka urdhëruar tashmë ngritjen e grupit të punës për hartimin e Strategjisë përkatëse. Strategjia e re pritet të funksionojë në fillim të vitit 2011. Ndërtimi i këtij dokumenti do të nisë në konsultim me të gjithë institucionet shtetërore dhe joshtetërore, publikun dhe mediat, dhe me mbështetjen e "Autism Speaks", qendër partnere e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë".
Preokupimi për sëmundjen e autizmit po ndihet dhe në Shqipëri, veçanërisht në vitin e fundit. Autizmi konsiderohet sot një sëmundje me rëndësi madhore, krahas sëmundjeve si HIV/AIDS, apo kanceri dhe renditet e treta për nga rëndësia e studimit dhe gjetjes së shkaqeve që e krijojnë.
Statistikat botërore tregojnë se sëmundja është tepër shqetësuese dhe rastet e saj janë në rritje, ku një në 99 fëmijë rezulton me autizëm. Ndërkohë, në vendin tonë nuk ka statistika të sakta mbi këtë fenomen, çka pritet të mundësohet nga studimi përkatës në kuadër të Strategjisë.
Sipas mjekëve, autizmi infantil është një çrregullim ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë, ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese dhe manifeston përgjigje bizarre ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit janë ndër simptomat më karakteristike të fëmijët autikë, që evidentohen kur fëmija nis të flasë, ç'ka përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar ose/dhe atipike. /a.ke/
-
enka22:19 - 08 Nëntor 2010Mendoj se kjo do te jete vertete nje ndihme e madhe e specializuar pasi ndihma per keta femije eshte dhene ne forma te ndryshme dhe jo e percaktuar ne modele frutdhenese.Mbetet nje detyre e gjate qe te marre shtrirje dhe ne rrethe .Mirenjohje per FFSH
-
Elaimonda Selenica15:18 - 01 Nëntor 2010eshte nje nisme shume emire qe eshte marre nga ky fondacion.por do tju isha mirenjohese une si nene e dy femijeve qe ky problem te trajtohet dhe me shume ne media sepse shume prej prinderve shqipetar as nuk mund ta pranojne jo me ta kurojne femijen ose ta cojne neper keto qendra.