Shkup, 18 Qershor, NOA - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, deklaroi sot në Shkup se zgjidhja e kontestit për emrin dhe vazhdimi i reformave janë çelësi për hyrjen e Maqedonisë në NATO.
"Është e qartë që vendi juaj vazhdon që të arrijë përparim në realizimin e standardeve të NATO-s. E vlerësojmë përparimin që keni arritur dhe përkushtueshmërinë tuaj për reformat e nevojshme, por mbetet që të bëhen reforma të rëndësishme, kështu që mesazhi im është që të vazhdoni me reformat, vazhdoni që të kontribuoni dhe sa më shpejt që është e mundur gjeni zgjidhje për çështjen me emrin. Këto janë çelësat për derën në NATO", tha Rasmusen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Nikolla Gruevski.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski nga ana e tij theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet një nga prioritetet më të larta të Maqedonisë të shprehur përmes përkrahjes së lartë të qytetarëve dhe me pjesëmarrjen në misionet e Aleancës.
Në kontekst të Samitit të ardhshëm në Lisbonë, tha Gruevski, Maqedonia do të vazhdojë të punojnë në mënjanimin e pengesës kryesore për anëtarësim në NATO.
NOA-INA