Regjistrimi I Popullsisë, Instat Vijon Punën Në Terren
TIRANA, 18 Qershor/ATSH/.- Instituti i Statistikave (INSTAT) po vlerëson rezultatet e projektit pilot të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, i cili u krye gjatë muajve prill-maj, ku u përfshinë qytete të mëdha me mbi 50 mijë banorë dhe qytete të mesme me mbi 10 mijë banorë dhe qytete të vogla e fshatra.
Drejtuesja e INSTAT, Ines Nurja, në seminarin teknik "Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, 2011, Shqipëri", tha se faza paraprake e regjistrimit është pjesa më e domosdoshme për të evidentuar në terren problematikën e tij "me qëllim marrjen e masave që procesi final të jetë brenda të gjitha parametrave për realizimin me sukses të plotë".
Ky regjistrim do të kontribuojë në përmirësimin e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes në 10-vjeçarin e ardhshëm si në nivel qëndror, ashtu edhe vendor.
Për të siguruar që ky regjistrim i përgjithshëm të jetë sa më afër, jo vetëm realitetit shqiptar, por edhe standardeve evropiane, INSTAT po punon vazhdimisht në të gjitha hallkat e këtij procesi me ekspertë të huaj, të cilët tashmë janë bërë pjesë integrale dhe do të jenë deri kur ai të përfundojë.
Mbledhja e të dhënave për regjistrimin e përgjithshëm te popullsisë dhe banesave për vitin 2011, ndryshe nga regjistrimi i fundit i kryer nëntë vjet më pare, do të kryhet nga skanera optikë me teknologji të avancuar, që përdoren gjerësisht në vendet e zhvilluara.
Sipas drejtueses Nurja, mbledhja e të dhënave nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është një faze kritike, e cila është e kushtueshme në terma kohorë dhe kostoje.
Për të shkurtuar kohën e mbledhjes së të dhënave, INSTAT-i po përdor një teknologji të avancuar për kapjen e të dhënave. Pranë zyrave të INSTAT-it është zbatuar sistemi i skanerave optikë, të cilët arrijnë të lexojnë rreth 60 mijë pyetësorë në ditë. Ky sistem përbëhet nga dy skanera optikë, të cilët lexojnë dhe interpretojnë të dhënat sipas teknologjisë OCR (Optical Character Recognition).
Nurja vlerësoi se kjo është një teknologji, e cila zbatohet në shumë vende të zhvilluara të Europës dhe siguron një ruajtje dixhitale të pyetësorëve të plotësuar. Përdorimi i skanerave optikë bën të mundur që të dhënat të mblidhen më shpejt dhe të rritet ndjeshëm cilësia e tyre. Nëpërmjet këtij sistemi arrihet të sigurohet një bazë të dhënash me e sigurtë dhe lehtësisht e menaxhueshme.
Sektori i Hartografisë në INSTAT gjatë muajve të fundit ka vijuar aktivitetin për plotësimin e bazës materiale të nevojshme gjatë punës në terren, midis të cilave, përgatitjen e hartave të printuara, formularët e ndërtesave, kancelaritë etj.
INSTAT ka përfunduar edhe dixhitalizimin e të gjitha hartave të caktuara për zonat pilot, përfshirë zonat urbane në Tiranë, Vlorë, Durrës, Peshkopi dhe ato rurale në Tiranë, Durrës, Peshkopi, Pukë, Korçë, Gjirokastër, Peqin dhe Kukës.
Ngritja e infrastrukturës së sallës së re të dixhitalizimit në ambientet e INSTAT-it është aktualisht një nga prioritetet e Sektorit të Hartografisë, veçon Nurja, duke shtuar se INSTAT ka përzgjedhur logon dhe moton kryesore për regjistrimin e popullsisë dhe banesave ne 2011. Motoja "E drejta juaj, detyrim qytetar" do t`i paraprijë kudo këtij regjistrimi.
Draftimi i pyetësorëve është bërë nga sektori përkatës i INSTAT- it në bazë të rekomandimeve të EUROSTAT-it dhe UN-it. Pyetësori është konsultuar dhe rishikuar nga ekspertë ndërkombëtare në fushën e demografisë dhe është testuar nga INSTAT në rreth 100 familje.
Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave për vitin 2011 është investimi më i madh që një vend kryen. Buxheti total është parashikuar në vlerën rreth 15 milionë euro, prej të cilës, Qeveria mbulon rreth 5 milionë euro, IPA 8 milion, UNFPA 1 milion euro, financime të tjera të PNUD-it, Statistikat Suedeze etj.
Ky regjistrim është i dyti në periudhën post-komuniste dhe të dhënat do të shërbejnë për të patur një fotografi më të qartë të realitetit shqiptar në të gjithë territorin e vendit. Të dhënat që do të sigurohen nga ky regjistrim janë të ruajtura në bazë të ligjit për statistikat dhe janë konfidenciale, pra asnjë e dhënë individuale nuk do të përdoret apo bëhet publike. Treguesit e agreguar do të shërbejnë për të prodhuar statistika të ndryshme demografike, sociale dhe ekonomike. Ato do të jenë baza më e rëndësishme e të dhënave mbi të cilat do të zhvillohen politikat për zhvillimin e vendit për të paktën 10 vitet e ardhshme./e.gj//a.ke/