English

Sabri Godo: Rama Pengon Arritjen E Një Marrëveshje

- Gjatë një interviste për ATSH-në - TIRANË, 18 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Politikani dhe historiani Sabri Godo tha sot për ATSH-në se, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshje mes palëve, që i kontribuon zgjidhjes së ngërçit politik në vend. Godo gjykon se "ngërçi i krijuar nuk është në rrugën e zgjidhjes, e cila mund t'i çonte palët në arritjen e një marrëveshje. Aktualisht, shoh një acarim të situatës. Edhe ditët e fundit, me sulmet që palët i bëjnë njëra-tjetrës, nuk po ecet në rrugën e gjetjes së një gjuhe mirëkuptimi, që mund të çonte në një marrëveshje". Sipas tij "Rama tani duhet të heqë medoemos dorë nga ideja fikse e kutive, sepse ajo nuk mbrohet dot si ide. Po të ishte se do të kërkonte, që nëpërmjet hapjes së kutive, të provohej që ky parlament dhe kjo qeveri nuk është legjitime dhe duhet rrëzuar, atëhere do të qe një politikë ballëhapur dhe e ndershme. Por, ky kërkon të bëjë një rol që nuk ndjek asnjë logjikë politike kur thotë që 'unë i njoh zgjedhjet, e pranoj qeverinë dhe parlamentin, por prapë dua të hap kutitë". Politikani Godo mendon se rruga e opozitës për hapjen e kutive nuk të çon asgjëkundi, pasi është e pamundur që palët të bien dakord për modalitetet. "Sa kuti do të hapen, ku duhet të hapen, kush do t'i numurojë dhe e gjitha kjo do të qe një kohë që do të zgjaste, së paku deri në zgjedhjet e ardhshme. Për mua është Rama që bëhet pengesë për marrëveshjen, ndonëse tamam unë nuk e di si janë punët, pasi nuk jam në brendësi të tyre dhe nuk mund të them se ku pengohet realisht". Hyrjen e opozitës në parlament, Godo e konsideron "një çedim" të bërë nga Rama. "Rama bërë një çedim duke u kthyer në parlament dhe duke hequr dorë nga greva dhe nga protesta. Me këtë u duk sikur do të hyhej në diskutimin e thelbit të problemit, të asaj që e quajmë transparencë të zgjedhjeve", thotë ai. "Rruga e transparencës së procesit nuk është ajo e hapjes së kutive. Unë e kam refuzuar si ide këtë muaj më parë, që kur u hap si diskutim, pasi e shoh se është një lojë, nën të cilën fshihet një qëllim që nuk e çon këtë vend përpara. Sapo të konstatoheshin çrregullimet e para, do të fillonin menjëherë kërkesat për qeveri provizore, zgjedhje të parakohshme etj, ndërsa të gjitha këto i bën të panevojshme fakti që kjo maxhorancë është legjitime", tha ai. Republikani Godo komentoi dhe kërkesën e ardhur dje nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, i cili u shpreh "për dorëheqje të qeverisë', në kushtet e ngërçit aktual politik në vend. "Kam respekt për Dulen, por një politikan duhet të dijë se kur të hapë gojën për të thënë një gjë dhe çfarë thotë. Por, të kërkosh që qeveria të japë dorëheqjen, kur ajo ka shumicën në parlament, më duket një gjë absurde. Opozita në çdo kohë ka të drejtë të bëjë kërkesa të tilla, por duhet të dijë se sa vend mund të zënë ato", përfundon Godo./n.m/
KOMENTE