Shkup, 18 Qershor, NOA – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen mbërrin sot në Shkup, për tia kumtuar mesazhin kryeministrit Nikolla Gruevski për ta ndryshuar emrin. Qëndrimi i kreut të Aleancës do të jetë porosia e fundit për Maqedoninë.
NATO të shtojë presionet ndaj Shkupit për të zgjidhur kontestin e emrit dhe hyrjen e vendit në strukturat e saj.
Ky mesazh do të jetë i drejtpërdrejtë nga sekretari i Përgjithshëm i kësaj aleance, Anders Fog Rasmussen, i cili nesër do të mbërrijë për vizitën zyrtare në Maqedoni.
Kreu i Aleancës Veri-atlantike, Anders Fog Rasmussen për herë të parë do të vizitojë Maqedoninë, që nga zgjedhja e tij në këtë funksion.
Nga zyra e NATO-s në Shkup konfirmojnë agjendën me takimet me kryeministrin Nikolla Gruevski, presidentin Gjorgje Ivanov, ministrin e jashtëm, Antonio Milloshoski dhe grupin parlamentar për bashkëpunim me Aleancën.
Burime diplomatike pranë zyrës së NATO-s në Shkup theksojnë se Rasmussen do tia kumtojë autoriteteve shtetërore sugjerimin për të zgjidhur kontestin e emrit, para Samitit të NATO-s që do të mbahet në muajin nëntor të këtij viti. NATO druan se Maqedonia në këto rrethana të bllokimit të proceseve euro-atlantike, mund të rrezikojë përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe trazirat politike, duke e çuar vendin drejt një destabilizimi. Mesazhet e kreut të NATO-s do jenë në një paralele me ato të SHBA-ve, pasi që është shtuar interesi për të zgjidhur kontestin e emrit deri në fund të vitit dhe se Maqedonia të sigurojë ftesën për anëtarësim qysh në samitin e nëntorit.
Rasmussen në Shkup do të kërkojë
mbështetjen e vazhdueshme logjistike për forcat e NATO-s në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër do të shprehë mirënjohje për pjesëmarrjen e trupave të ARM-së në misionin në Afganistan.
NOA-INA