English

Shënim - Prc: Zvogëlohet Mbështetja E Myslimanëve Për Terrorizmin

UASHINGTON, 18 qershor /ATSH-MIA/ - Përkrahja e myslimanëve për ekstremizmin islam dhe për rrjetin terrorist ''al Kaeda'' të Osama bin Ladenit po zvogëlohet në të gjithë botën, edhe pse në Nigeri mbetet e lartë, tregon një studim sociologjik vjetor i institutit të njohur amerikan "Pew Research Center" (PRC). Studimi u zbatua në 22 shtete, mes të cilave shtatë me popullsi me shumicë myslimane - Egjipt, Indonezi, Jordani, Liban, Nigeri, Pakistan dhe Turqi, ndërkohë që të pyeturit ishin vetëm myslimanët. Nigeria, vendi origjinë i atentatit të pasuksesshëm të aeroplanit që fluturonte nga Amsterdami për në Detroit vitin e kaluar për Krishtlindje, është i vetmi vend në të cilin pothuajse gjysma e myslimanëve mbështesin ''al Kaedën''. Madje 49 për qind e nigerianëve e shohin me simpati rrjetin terrorist, ndërsa 58 për qind kanë besim në liderin e tyre Osama bin Laden. Megjithatë, mbështetja e myslimanëve nigerianë për ''al Kaedën'' po zvogëlohet, krahasuar me rezultatet e vitit të kaluar, kur kjo arrinte në 54 për qind. Paradoksi në rezultatet nga anketa është se 81 për qind nga nigerianët e anketuar janë adhurues të SHBA-së, ku edhe simpatia për presidentin amerikan, Barack Obama tek ta është madje 84 për qind. Mbështetja për ekstremizmin dhe për ''al Kaedën'' mes myslimanëve në shtatë shtetet e sipërcituara është e ulët. Mendim pozitiv për rrjetin terrorist kanë 34 për qind e jordanezëve, 23 për qind e indonezianëve, 20 për qind e egjiptianëve, katër për qind e turqve dhe tre për qind e libanezëve. Megjithatë, bën përshtypje fakti se qytetarët e anketuar në Egjipt dhe Jordani janë më shumë adhurues të ''al Kaedës'' sesa të SHBA-së. Më tej, mbështetja për sulmet vetëvrasëse është më e lartë në Liban, ku 39 për qind nga të anketuarit i justifikojnë këto sulme. Më pas vijojnë Nigeria me 34 për qind dhe Turqia me gjashtë për qind./ a.jor.
KOMENTE