Tiranë, 18 qershor, NOA - Pengesat politike për zgjidhjen e problemit të pronës përbëjnë realisht edhe një pengesë për afrimin e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.
Një fakt të tillë e bëjnë me dije drejtuesit e Kryesisë së shoqatës “Bregdeti”, përmes një deklarate për shtyp, duke sqaruar se pas vitit 1991 janë miratuar ligje që e shkelin të drejtën e pronësisë pasi e konsiderojnë pronën e grabitur si pronë të shtetit.
Veç kësaj zbatimi në praktikë i këtyre ligjeve është deformuar më tej nga kryetarët e komisioneve, ku në zonat turistike, komisionet kanë funksionuar për moskthimin e pronave dhe për sorollatjen e pronarëve.
“Ligjet për kthimin e pronës, në parim janë të gabuara sepse e parcializojnë dhe e kushtëzojnë kthimin fizik të pronës sipas zërave kadastrale dhe jo sipas titujve dhe kufijve, që ka pasur prona në kohën e kolektivizimit komunist. Sipas ligjeve në fuqi absurditeti arrin deri aty sa trashëgimtari që jeton në fshat përfiton nga kthimi fizik i tokës bujqësore ndërsa trashëgimtarët që jetojnë në qytet nuk përfitojnë kthim fizik’, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.
Duke shtuar më tej se “po ashtu, sipas këtyre ligjeve subjektet e shpronësuar do të kompensohen por në masën 200 m2 dhe kur t’ju vijë radha. Ky kompensim antikushtetues parashikohet edhe për atë pronë që dikush tjetër e ka pushtuar dhe ka ndërtuar pa leje ose për prona që kryetarët e komisioneve ja kanë dhënë personave që kanë përkrahjen e politikanëve”.
“Ky lloj kompensimi është tallje me të drejtën e pronës, shkelje flagrante e nenit 181 të Kushtetutës dhe shkelje e kërkesave të përsëritura qartë në dokumentin nr 11115 dt 20 Dhjetor 2006, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ambasadori Helmuth Lohan dhe përfaqësues të tjerë të Evropës, kanë deklaruar se mos zgjidhja e konfliktit politik rrezikon negociatat me BE”, përfundon deklarata në fjalë.
n.e/NOA