Sport-Botëror/ Gjermania Dhe Anglia, Fitore Për T'U Ngjitur Në Krye Të Grupit
TIRANË, 18 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Sot do të zhvillohen tre takime të tjera për ndeshjet e dyta të grupeve të Botërorit.
Në grupin C do të përballen SHBA dhe Sllovenia në orën 16:00. Trajneri Bob Bradley ia ka përsëritur vazhdimisht ekipit të tij se Sllovenia është një ekip i disiplinuar, mirëorganizuar dhe nuk mund të merret me lehtësi ndeshja kundër saj. Arsyeja është mjaft e dukshme. Shumë prej lojtarëve sllovenë luajnë në kampionate futbolli në Evropë si, në Belgjikë, Francë, Holandë, Gjermani e Itali.
"Nuk mund t'i nënvlerësojmë lojtarët sllovenë, edhe pse ndoshta nuk i njohim shumë", u shpreh kapiteni i SHBA-së, Carlos Bocanegra.
SHBA-ja kërkon patjetër fitoren me Slloveninë, për mos t'i varur shpresat tek ndeshja e ardhshme kundër Algjerisë për avancimin në fazën tjetër.
Ndërkohë, në mbrëmje do të jetë prova e dyte për Anglinë e Fabio Capellos kundër Algjerisë, ku përfaqësuesja e "Tre Luaneve" duhet të shuajë çdo dyshim mbi forcën e saj. Hapi fals në ndeshjen e parë të Boterorit 2010 kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë që për anglezët alternativë të jetë vetëm fitorja.
"Për ne është e rëndësishme të luajmë mirë dhe të shënojmë gola, por nuk e ndjejmë presionin. Mendoj se skuadra po punon mirë dhe nëse fitojmë dy ndeshjet e rradhës do të jem i kënaqur. Sa për topin kemi filluar të marrim konfidencë me të, kështu që e marr me mend tmerrin e portierëve, sepse sigurisht kur ke për të goditur e ndjej se është një avantazh", u shpreh sulmuesi kryesor i Anglise, Uayne Rooney.
Tekniku italian Capello mund t'i kthehet tashmë skemës së preferuar 4-4-1-1, pas rikthimit të Gareth Barry në të majtë, ndërsa Lennon duket më i favorizuar se Philips në krahun tjetër. Vendin e mallkuar të Ferdinand dhe King të dëmtuar, pritet ta marrë qendra e Totenham, Michael Dauson, që është favorit ndaj Carragher dhe Upson. Gabimi i Green në rastin e golit, mund ta kthejë në pankinë portierin e Uest Ham, ndërsa në balotazhin mes James dhe Hart, portieri i Portsmouth duket në avantazh. Kështu, me tre ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen e parë, Anglia kërkon të jetë ndryshe në rezultat, por sigurisht edhe në lojë, gjithnjë nëse nuk dëshiron një tjetër kryqëzim nga media.
Ndërkohë, në orën 13:30 do të zhvillohet edhe takimi i parë i ndeshjeve të dyta për grupin D mes Gjermanisë dhe Serbisë.
Serbia shkon drejt ballafaqimit me Gjermaninë, pas humbjes në ndeshjen parë me Ganën. Për serbët është e qartë se ekipi gjerman nuk është i lehtë, por paralajmërojnë se edhe mundja e tyre do të jetë e vështirë.
Anësori serb, Zoran Tosic tha se Gjermania ka lojtarë të zotë, por ekipi i tij do të japë maksimumin në këtë ndeshje.
Ndërkohë, Gjermania synon të përsërisë suksesin e fitores 4-0 ndaj Australisë. Mesfushori Bastian Schëeinsteiger është në pikëpyetje për të luajtur, pasi nuk është në formë të mirë. /a.ke/