English

Sport- Qeveria Nxjerr Në Shitje Stadiumin "Qemal Stafa" Dhe Pallatin E Sportit "Asllan Rusi"

TIRANË, 18 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Në kuadër të privatizimit të disa aseteve shtetërore, Qeveria shqiptare ka nxjerrë në shitje edhe stadiumin "Qemal Stafa" dhe Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Ekonomise, Tregtise dhe Energjitikës, Dritan Prifti, i cili ka thënë se "Para pak ditësh më ka ardhur lista e objekteve të ministrisë së Kulturës, të cilat do të privatizohen, brenda tyre përfshihet dhe stadiumi "Qemal Stafa", pallati i sportit "Asllan Rusi" dhe objekte të tjera të rëndësishme". Shitja e ketyre objekteve pritet të bëhet në kuadër të privatizimeve të shumta të pronave shtetërore, nismë kjo e deklaruar pak kohë më parë edhe nga kryeministri Sali Berisha. Në listën e privatizimeve janë 280 objekte dhe mbi 2 mijë asete shtetërore. Ndërkohë, për stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" ka një projekt nga FSHF, e cila në bashkëpunim edhe me UEFA-n e FIFA-n, kërkon të rikonstruktojë stadiumin e vetëm kombëtar në Shqipëri. Gatishmëria e organizmave ndërkombëtarë për rikonstuksionin e stadiumit u konfirmua edhe në muajin mars nga zv/presidenti i UEFA-s dhe FIFA-s, spanjolli Angel Maria Villar Lorna, i cili mori pjesë në Asamblenë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërsa para pak muajsh në Tiranë ka qenë edhe shefi i projekteve të UEFA-s, Andreas Kuhn, i cili pasi ka vëzhguar gjendjen e stadiumit, ka shprehur mbështetjen e plotë financiare nga organi i futbollit europian për projektin e ri të stadiumit "Qemal Stafa". Para disa ditësh, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e ministrisë, pikërisht për investimet në "Qemal Stafa", ku u arrit një marrëveshje për këtë qëllim. Marrëveshja parashikon që federata të investojë rreth 100 milionë lekë, të cilat do t'i "rimarrë" duke i zhvilluar pa shpenzime ndeshjet e kombëtares në këtë impiant. FSHF do të paguajë 4 milionë lekë për një ndeshje të zhvilluar. Kjo do të thotë se për ta shlyer investimin e federatës, "Qemal Stafa" duhet ta lejojë kombëtaren të zhvillojë të paktën 20 ndeshje. Stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" edhe sot, pas gati 70 vjetësh, mban peshën më të madhe të ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ku luan ekipi kombetar dhe klubet e kryeqytetit, duke mbetur ende një pikë e rëndësishme e futbollit shqiptar. /a.ke/
KOMENTE