English

Thede Kahl: Rumunët dhe arumunët dallojnë nga njëri-tjetri

Berlin, 18 Qershor, NOA - Çfarë janë arumunët apo vllehët, cili është identiteti i tyre, pse përpiqet Rumania ti quajë si pjesë të popullit rumun dhe pse bëhet luftë me shifrat kur përmenden arumunët e Greqisë dhe Shqipëristë?

Prof. Thede Kahl jep përgjigje për këto pyetje. Ai ka shkruajtur doktoraturën me studimin e vllehëve të Ballkanit Studimi i tij është botuar në librin "Etniciteti dhe ndarja hapësinorë e arumunëve në Europën Juglindore".

Prof. Kahl, çfarë janë arumunët, ose vllehët e Shqipërisë?

Rumunët e veriut të Ballkanit dallojnë nga arumunët ose vllehët në jug të tij. Duhet shpjeguar se në të gjitha popujt e Evropës juglindore dhe në Rumani, gjatë mesjetës ka qenë e zakonshme që rumunët të quhen vllehë.

Me fillimin e identiteteve nacionale dhe të shteteve nacionale në Europën Juglindore, shohim tek vendet ku jetojnë rumunët në Ballkanin verior, pra mes vllehëve një rikthim të rrënjëve latine. Bota vllehe heq dorë nga emërtimi i vjetër dhe kalon tek emërtimi rumun, domethënë që ti quajë vllehët rumunë.

Nëse ne sot gjejmë vllehë në Ballkanin jugor, Shqipëri dhe Greqi atëherë kemi të bëjmë me emërtim të njëjtë. Por, rumunët që krijojnë shtetin në veri të Ballkanit dhe vllehët në jug të Ballkanit dallohen nga njeri tjetri.

Nga pikëpamja gjuhësore rrënjët janë të njëjta tek e ashuquajtura latinishtja vulgare, dialekti roman që flitej prej popujve të lindjes.

Por gjuhët janë zhvilluar të ndara nga njera tjetra, që prej më shumë se 1000 vjetësh kanë zhvillime të ndryshme dhe janë sot aq të ndryshme saqë nuk mund të kuptohen dhe në përgjithësi nuk kanë bazë për një identitet të përbashkët. Në mes të vllehëve (arumunëve), nuk mund të gjenden njerëz që identifikohen me rumunët dhe anasjelltas.

Atëherë pse përpiqet Rumania ti quajë vllehët të vetët?

Në princip që prej krijimit të shtetit rumun dhe lindjes së idesë nacionale rumune, ka lindur edhe ideja që praktikisht jo vetëm rumunët që jetojnë në territoret e shtetit pra rumunët dakë, por edhe të gjithë popujt që dikur janë quajtur vllahë, që flasin gjuhë që i ka rrënjët tek latinishtja vulgare, të numërohen brenda popullit rumun.

Jo vetëm arumunët në Greqi dhe Shqipëri, por edhe rumunët meglenë në Maqedoni, dhe istro-rumunët në Kroaci. Kjo do të thotë që pikëpamjet nacionale rumune i shohin të gjitha këto grupe si pjesë përbërëse e popullit rumun.

Nga pikëpamja etnografe kjo është një mënyrë e të menduari e "Rumanisë së Madhe", dhe nuk i përgjigjet identitetit të këtyre njerëzve. Arumunët në Shqipëri dhe në Greqi, kanë qenë shumë të lidhur me bizantizmin dhe mësuan më shumë greqisht dhe shqip e u përshtatën me sunduesit osmanë. Ata nuk kanë patur të bëjnë me rumunët në veri të gadishullit, për 1000 vjet me rradhë ata nuk kanë qenë në kontakt me Rumaninë dhe Moldavinë. Pra në princip është ide nacionaliste e shtetit rumum, që kërkon ti ketë pjesë të saj këto grupe.

Kjo ka bërë që në shek. e 19 -të Rumania të ngrinte një sistem arsimor në jug të Ballkanit, me mbi 100 shkolla dhe kisha, në mënyrë që të pengonte arumunët që të vazhdonin të asimiloheshin gjuhësisht në shqiptarë dhe grekë dhe ti rumanizonin, duke u përpjekur që atë gjuhë romane që u kishte mbetur ta kthenin në rumune, dhe kështu të shtonin popullsinë rumune. Por nuk ia dolën kësaj mbanë me sukses.

Kalojmë tek arumunët më pas. Unë kam patur shoqe dhe shokë që janë arumunë, që e kemi ditur që kemi ditur që ata flasin edhe një gjuhë tjetër përveç asaj shqipe dhe që quhen arumunë, që kanë një prejardhje tjetër. Por kjo nuk na ka penguar gjatë sistemit komunist. Si shpjegohen lëvizjet e mëpastajme, kanë të bëjnë me kthim në identiet?

Nëse sheh sot identitetin e arumunëve të Shqipërisë, duhet të shohësh që ekziston një ndryshim i madh para 1990 dhe pas 1990-ës. Mund të thuhet se ka ata kanë patur një identitet gjuhësor që i ka dalluar nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore nga shqiptarët. Para 1990-ës nuk ka patur konflikt identiteti që do tu thoshte pjesës më të madhe të njerëzve që të mos ishin lojal me Shqipërinë, kushtet kanë qenë krejt të tjera në atë kohë. Pas vitit 1992, 93 shohim një zgjim identiteti duke filluar me Shqipërinë jugperëndimore dhe qëndrore, ku u krijuan shoqata arumune që filluan të kujdeseshin për gjuhën arumune dhe kulturën. Krejt në fillim kjo ishte një lëvizje kulturore dhe gjuhësore e përqëndruar në ruajtjen e identitetit lokal të arumunëve shqiptarë. Por shumë shpejt kjo lëvizje filloi të vendosej në kontakt me Ambasadën rumune, me politikanët rumunë me shpresën e marrjes së ndonjë ndihme. Nga ana tjetër, ata persona që përpiqen të distancohen nga arumunët dhe rumunët, kanë tendencë të jenë grekofilë, pra orientohen më shumë nga Greqia. Në Shqipëri u pa në mes të viteve nëntëdhjetë që orientimi drejtohej nga përfitimet ekonomike. Nëse Rumania ofronte bursa për arumunët që jepnin provimin për të thënë se kuptojnë pak rumanisht prandaj mund të studiojnë në Rumani, atëherë gatishmëria për tu treguar rumun është sigurisht më e madhe. Dhe është e qartë që Greqia ka shance më të mëdha që ti deklarojë arumunët si grekë, sepe ka qenë dhe është vend më i pasur se Rumania, dhe ka kohë që është në BE. Duhet thënë se politikanët e atjeshëm kanë qenë të interesuar në përfitime më shumë se sa në ruajtjen e kulturës së vetë lokale. Nëse do të ishte për ruajtjen e kulturës, atëherë ata do ta kishin bërë këtë pa Rumaninë dhe Greqinë sepse kultura arumune është krejtësisht e pavarur dhe gjuha shumë larg rumanishtes.

Pse bëhet luftë me shifrat sa herë bëhet fjalë për arumunët e Shqipërisë dhe Greqisë?

Nëse merresh me shifrat dhe pyet sa arumunë jetojnë ku, atëherë ke problemin që ke gjithnjë kur përpiqesh të përcaktosh pakicat. Sepse zyrtarisht në princip pakicat dalin nga numërimi i popullsisë. Nëse për shembull në Greqi nuk bëhet numërim popullsie ku të dalin në pah pakicat, atëherë del se numri i arumunëve në Greqi është zero. Megjithatë në Greqi jeton numri më i madh i arumunëve. Nga pikëpamja etnografike, mund të bëhen vlerësime dhe të thuash që në Greqi jetojnë 200 mijë arumunë dhe në Shqipëri 100 deri 150 mijë. Por këto janë vetëm vlerësime, sepse nëse dëgjon shoqatat e arumunëve ata përpiqen ta rrisin numrin e arumunëve për të marrë më shumë të drejta.

DVelle

KOMENTE