English

Topalli: Dashuria e Berishës për Kosovën, impresionuese për gjithë shqiptarët

Tiranë, 18 qershor, NOA – Piloti shqiptar nga Kosova Xhejms Berisha, i cili ka vizituar 44 shtete në kuadër të nismës “Unë fluturoj për Kosovën” është takuar sot dhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Kryetarja e Kuvendit e ka cilësuar aktivitetin e Xhejms Berishës si një nga lobimet më të veçantë për pavarësinë e Kosovës.

“Vullneti dhe dashuria e admirueshme e pilotit Berisha për Kosovën dhe shqiptarët është impresionuese dhe një shembull frymëzimi për të gjithë”, tha Topalli.

Piloti me origjinë nga Rahoveci, Xhejms Berisha, duke i shpjeguar Kryetares së Kuvendit projektin e tij, tha se nisma “ Unë fluturoj për Kosovën” është një rrugëtim i gjatë ajror, deri tashmë në 44 shtete, ku piloti Berisha dhe mbështetësit e tij, takohen dhe me personalitetet më të larta të çdo shteti.

Piloti Berisha i shprehu Kryetares së Kuvendit falenderimet dhe mirënjohjen e thellë në emër të gjithë shqiptarëve të Kosovës , për lobimin dhe mbështetjen e përditshme, siç e cilësoi ai, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, në komunitetin ndërkombëtar.

Piloti Berisha dhe grupi i të rinjve nga Kosova që mbështesin nismën “Unë flutoroj për Kosovën”, i treguan Kryetares së Kuvendit, emocionet dhe përjetimet e jashtëzakonshme, që ky udhëtim botëror i jep atyre , edhe si një detyrim moral në respekt të sakrificës së popullit të Kosovës për pavarësi e prosperitet.

m.xh/NOA

KOMENTE