Tiranë, 18 qershor, NOA - “Është e dhimbshme që opozita nuk u bashkua me punën e Kuvendit në këto muaj vendimtarë, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve”. Kjo është deklarata që ka bërë sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, i cili ka qenë dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Duke u ndalur në situatën politike, Topalli ka theksuar se “një opozitë e përgjegjshme, është një garanci për qeverisje të mirë, në shërbim të interesave publike”.
Më pas Kryetarja e Kuvendit njohu zotin Daci me punën e madhe të Kuvendit gjatë këtij viti,
“Kuvendi ka diskutuar e miratuar mbi 170 ligje, marrëveshje, ku disa prej tyre kanë qenë të lidhura direkt me liberalizimin e vizave dhe të tjerat, në mbështetje të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit”, tha Topalli.
Daci shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për angazhimin e jashtëzakonshëm të diplomacisë parlamentare dhe Kryetares së Kuvendit, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
“Falenderojmë Shqipërinë, Parlamentin dhe të gjitha institucionet për mbështetjen që na kanë dhënë dhe që ne e dëshirojmë në vijimësi, për procesin shtetëformues të Kosovës, pasi ende ky vend, ka mungesa në kapacitetet institucionale” u shpreh Daci.
m.xh/NOA