Bulqizë, 19 qershor, NOA – Kushtet e rënda në punë në minierën e Bulqizës kanë shënuar një tjetër aksident. Këtë herë është një grua 45 vjeçare ajo që ka mbetur e plagosur ndërsa punonte në vendin e grumbullimit të kromit.
Gruaja quhet Marjana Rushiti dhe është aksidentuar nga një fadromë që punonte për lëvizjen e stoqeve të kromit.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje gruaja është goditur nga fadroma në momentin që ka qenë duke sistemuar një sasi kromi.
Mendohet se ka qenë pakujdesi e drejtuesit të fadromës që nuk ka vënë re punëtorët që ishin afër vendit ku bëhej transportimi i kromit.
Kolegët e saj i kanë dhënë ndihmën e parë 45 vjeçares Rushiti. Ndërkohë që gjendja e saj e rëndë ka bërë që të kërkohet menjëherë dërgimi i saj në spital.
Rushiti është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore.
m.xh/NOA