Ambasadori I Austrisë, Florian Rauning: Vlora Ka Ndryshuar Shumë
VLORË, 18 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Florian Rauning, zhvilloi sot një vizitë kortezie në qytetin e Vlorës, ku gjatë takimeve me përfaqësuesit vendorë vlerësoi ndryshimet e realizuara në këtë qytet.
Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, Rauning veçoi ndryshimet e realizuara në këtë qytet krahasuar me vite më parë, kur ai ka ardhur këtu, në periudhën 1996-2002, ndërkohë që ushtronte funksionet e përfaqësuesit diplomatik të vendit të vet.
"Unë kam qenë në Vlorë edhe para disa viteve dhe më duhet të përgëzoj ndryshimet qe vihen re në qytet, si nga ana e infrastrukturës, në pamjen estetike, shërbimet; një qytet vërtet simpatik. Jeni një hap larg familjes europiane dhe këto janë shenja pozitive", u shpreh z.Rauning. Ai vuri në dukje se Ambasada e Austrisë në Tiranë ka mbështetur një projekt të drejtuar nga Fate Velaj në Vlorë, duke e vlerësuar atë si një mundësi promovimi.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, e njohu diplomatin e lartë austriak me gjendjen në qytetin e Vlorës, ku ka veçuar investimet që janë kryer dhe po realizohen, bashkëpunimin institucional të spikatur, çka sipas tij, është një shtysë për integrimin. "Krahasuar me periudhën kur keni qenë këtu në 1996-2002 mund të shihni se ndryshimet në Vlorë janë të dukshme. Ka një hop cilësor të qytetit në ndryshimin e imazhit e në destinacionin turistik, por edhe në mesazhet që përcjell përmes bashkëpunimit të të gjithë faktorëve në nivel lokal", theksoi kreu i bashkisë së Vlorës.
Ambasadori i Austrisë në Tiranë zhvilloi takime kortezie edhe me Kryetarin e Këshillit të Qarkut dhe Prefektin Hasan Halili, ku u nënvizua vullneti i ndërsjelltë për të nxitur bashkëpunimin, ndërkohë që u evidentua ecuria e Shqipërisë për të hyrë me dinjitet në Evropën e Bashkuar dhe pritshmëria optimiste për liberalizimin e vizave si një proces i pakthyeshëm. "Shqipëria ka trokitur tashmë në Evropë", theksoi Rauning, ndërkohë që evidentoi optimizmin e tij për të ardhmen e Shqipërisë. Ai theksoi se, bashkëpunimi i ndërsjelltë po konkretizohet me një projekt në Vlorë për rritjen e cilësisë së shërbimeve në fushën e turizmit. /s.s./