Bruksel: Ashton-Thaçi Diskutojnë Për Perspektivën Evropiane Të Kosovës
PRISHTINË, 18 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, baronesha Catherine Ashton, në një drekë pune sot në Bruksel, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit për perspektivën evropiane të Kosovës.
Sipas zyrës së shtypit të Qeverisë kosovare, në takim është diskutuar për përshpejtimin e reformave në Kosovë, me synim përshpejtimin e proceseve integruese në strukturat euroatlantike. Në këtë drekë u diskutua edhe për proceset e bashkëpunimit rajonal, të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe progresin e mëtejshëm në procesin e liberalizimit të vizave dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë.
Në këtë kontekst, Kryeministri Thaçi theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal, me objektiv përparimin e proceseve pozitive në rajon, të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. "Kosova ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë", theksoi Kryeministri Thaçi.
/s.s./