English

Bruksel- Leterme Konfirmon Mbështetjen Për Zhvillimin E Kosovës

PRISHTINË, 18 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, vendi i të cilit nga data 1 korrik do të marrë drejtimin e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian ka konfirmuar mbështetjen për zhvillimin e Kosovës dhe për perspektivën evropiane të saj, në takimin që pati në Bruksel me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi. "Në këtë takim miqësor mes dy kryeministrave, vazhdimësi e takimit të mëparshëm mbajtur në Prishtinë, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy qeverive në të gjitha fushat", bëhet e ditur në komunikatën e zyrës së shtypit të Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast u nënshkruan dhe dy marrëveshje bilaterale mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Belgjikës, marrëveshja në fushën e transportit rrugor dhe marrëveshja për transferimin e të burgosurve. Kryeministri Thaçi, dje në ditën e parë të vizitës zyrtare në Bruksel, u prit nga Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmusen, ndërsa sot u takua dhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, baroneshen Catherine Ashton. /s.s./
KOMENTE