Durrës: Mot I Paqëndrueshëm Në Fundjavë
DURRËS, 19 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Moti i paqëndrueshëm, me alternime vranësirash dhe me erë të lehtë, do të mbizotërojë këtë fundjavë në gjirin detar të Durrësit, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit.
Tragetet e linjës Bari - Durrës kanë mbërritur rreth orës 08.00 të mëngjesit të sotëm dhe trafiku i anijeve tregtare nuk do të paraqesë probleme me gjithë detin e trazuar me forcë 3-4 jashtë gjirit detar.
Përpunimi i anijeve me mallra dhe kontejnerë do të vijojë pa probleme gjatë gjithë ditës, ndërsa motopeshkatoret që janë nisur për gjueti do të lundrojnë kryesisht pranë brigjeve në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman deri në atë të Bunës në veri.
Era fryn nga juglindja dhe gjate natës ka patur reshje lokale. Temperaturat e ajrit vazhdojnë të jenë më të larta se sa mesatarja stinore dhe sipas burimeve të kapitenerisë, pritet një ulje e lehtë e tyre. /s.s./